Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar ndaj deklarimeve dhe interpretimeve lidhur me kontratën për shitjen e qymyrit me kompaninë shtetërore të Maqedonisë së Veriut, ESM, duke theksuar se kontrata nuk përbën koncesion për qymyrin, minierat apo asetet e Korporatës.
Sipas KEK-ut, objekti i kontratës është i qartë dhe ka të bëjë me shitjen e qymyrit, ndërsa Korporata thotë se nuk mban përgjegjësi për formulimet apo interpretimet e publikuara nga palë të tjera. KEK-u u ka bërë thirrje të interesuarve që t’u referohen dokumenteve zyrtare të kontratës dhe dosjes së tenderit.
Korporata thekson se kontrata dhe dosja e tenderit janë publike në platformën E-Prokurimi të KRPP-së dhe mund të verifikohen drejtpërdrejt nga qytetarët, mediat dhe palët e tjera të interesuara.
KEK-u ka rikujtuar edhe kushtet kryesore të marrëveshjes: çmim prej 24.4 euro për ton pa TVSH, kohëzgjatje 36 muaj dhe vlerë potenciale deri në 73.2 milionë euro. Qymyri do t’i shitet drejtpërdrejt përdoruesit përfundimtar, pa ndërmjetësues, përcjell Energy Monitor.
Sipas Korporatës, KEK-u nuk do të jetë përgjegjës për eskavimin, transportin dhe operacionet logjistike për tërheqjen e qymyrit. Sipas saj, kjo e ndan shitjen e qymyrit nga operacionet minerare të KEK-ut dhe nuk duhet të ndikojë në furnizimin e termocentraleve me qymyr apo në prodhimin vendor të energjisë elektrike.
“Nevojat e termocentraleve mbeten prioritet absolut”, thekson KEK-u, duke shtuar se paraqitja e marrëveshjes si “koncesion” është, sipas saj, në kundërshtim me përmbajtjen e dokumentit zyrtar.
Reagimi i KEK-ut vjen pas debatit të krijuar rreth marrëveshjes me ESM-në, për të cilën janë ngritur pyetje lidhur me çmimin, sasinë e qymyrit dhe mënyrën e realizimit të kontratës. KEK-u insiston se kontrata është publike dhe se faktet mund të verifikohen drejtpërdrejt nga dokumentet zyrtare.



