Sindikata e Re e KEK-ut ka vendosur të anulojë tubimet e paralajmëruara për nesër dhe të kontribuojë në Task-Forcën e krijuar për çështjet që lidhen me gjendjen në korporatë.
Në një njoftim drejtuar punëtorëve dhe anëtarëve të sindikatës, Kryesia tha se vendimi është marrë pas takimeve të zhvilluara me Menaxhmentin dhe Bordin e KEK-ut, duke marrë parasysh situatën në korporatë, vazhdimësinë e prodhimit dhe mirëqenien e punëtorëve.
“Pas takimeve të djeshme me Menaxhmentin dhe Bordin e KEK-ut, Sindikata e Re ka marrë vendim që të kontribuojë në Task-Forcë, për të mirën e punëtorëve dhe KEK-ut”, thuhet në njoftim.
Sipas sindikatës, pjesëmarrja në Task-Forcë synon të tregojë gatishmërinë e saj për të marrë përgjegjësi dhe për të bashkëpunuar në adresimin e çështjeve të punëtorëve, përcjell Energy Monitor.
Vendimi vjen pas protestës së zhvilluar sot në Prishtinë, përmes së cilës Sindikata e Re ka ngritur shqetësimet e saj lidhur me gjendjen në KEK dhe kushtet e punës.
Sindikatës i është referuar protestës si një mesazh i qartë për mbrojtjen e punëtorëve, duke thënë se beson se “serioziteti dhe sinqeriteti” i saj është kuptuar nga palët përkatëse.
Ndërkohë, Kryesia e Sindikatës së Re ka njoftuar se gjatë javëve të ardhshme do të zhvillojë takime me kryesitë e tri divizioneve të KEK-ut, me qëllim të diskutimit të çështjeve të punëtorëve.
Për këtë arsye, tubimet e planifikuara për nesër janë anuluar.
Vendimi vjen në një periudhë të tensionuar për KEK-un, pas disa rasteve me fatalitet në vendin e punës dhe protestave të sindikatave për përmirësimin e sigurisë dhe kushteve të punës.


