Tre ofertues të kualifikuar kanë dorëzuar ofertat për Ankandin e Parë të Erës në Kosovë, me të cilin synohet zhvillimi i 50 deri në 100 MW kapacitete të reja të energjisë së erës.
Ministria e Ekonomisë njoftoi se faza e dorëzimit të ofertave është përmbyllur dhe se procesi tani kalon në vlerësimin ligjor, administrativ dhe teknik. Vetëm ofertat që plotësojnë kërkesat e përcaktuara në dokumentacion do të avancojnë më pas në fazën e vlerësimit financiar, ku fitues do të jetë ofertuesi që ofron çmimin më të ulët.
Në garë kanë dorëzuar ofertat konsorciumi NOTUS Energy GmbH dhe Stublla Energy LLC, kompania franceze Akuo Energy SAS dhe kompania turke GÜRİŞ İnşaat ve Mühendislik AŞ, përcjell Energy Monitor.
“Me pranimin e ofertave për procesin e parë konkurrues për kapacitete të energjisë nga era, po përmbyllim një etapë të rëndësishme të këtij procesi”, tha ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Sipas saj, në javët në vijim do të verifikohet përmbushja e kërkesave ligjore, administrative dhe teknike, ndërsa vetëm ofertat që i plotësojnë këto standarde do të kalojnë në vlerësimin financiar.
Tre ofertuesit kanë përvojë në Kosovë
Të tre ofertuesit kanë pasur më herët interesa ose aktivitete në sektorin energjetik të Kosovës.
NOTUS Energy, e cila garon në konsorcium me Stublla Energy, ka qenë e përfshirë në zhvillimin e Parkut të Erës në Selac të Bajgorës, me 27 turbina dhe kapacitet të përgjithshëm prej 102.6 MW. Kompania ka pasur rol në planifikim, procedura të lejeve, financim dhe realizimin e projektit si kontraktor i përgjithshëm.
Partneri i saj në konsorcium, Stublla Energy, ka pasur ndërkohë aplikime të mëhershme për projekte të energjisë së ripërtëritshme. Të dhënat e KOSTT-it tregojnë se kompania kishte aplikuar për kyçjen e një projekti hibrid prej 170 MW, me 138 MW erë dhe 32 MW diell, ndërsa në vitin 2024 kishte aplikuar edhe për një projekt të erës prej 61.2 MW.
Akuo Energy kishte aplikuar në KOSTT që në vitin 2018 për kyçjen e projektit “AKUO-Energy MED Cicavica”, me kapacitet të planifikuar prej 116 MW. Sipas të dhënave të KOSTT-it, kompania kishte pranuar ofertën për kyçje, por marrëveshja për kyçje nuk ishte nënshkruar, raporton Energy Monitor.
Ndërsa GÜRİŞ tashmë ka një prani konkrete në sektorin energjetik të Kosovës. Përmes kompanisë Air Energy SH.P.K., të cilën BERZH-i e identifikon si në pronësi të plotë të GÜRİŞ İnşaat ve Mühendislik, grupi ka zhvilluar Parkun e Erës Kitka në Kamenicë, me kapacitet fillestar prej 32.4 MW.
Fituesi do të përcaktohet përmes çmimit
Ankandi synon të sigurojë investime të reja private në prodhimin e energjisë nga era dhe të kontribuojë në diversifikimin e burimeve të energjisë elektrike në Kosovë.
Pas përfundimit të vlerësimit ligjor, administrativ dhe teknik, ofertat që plotësojnë kriteret do të kalojnë në fazën financiare. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, fitues do të shpallet ofertuesi që, pasi të ketë përmbushur të gjitha kërkesat, ofron çmimin më të ulët.
Procesi po zhvillohet me mbështetjen e Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC) si këshilltare e transaksionit, me mbështetjen e Qeverisë së Gjermanisë dhe Qeverisë së Luksemburgut përmes LuxDev.
Ankandi është pjesë e programit të Kosovës për zhvillimin e kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme dhe rritjen e sigurisë së furnizimit.



