Qeveria italiane ka miratuar një dekret që synon rritjen e prodhimit vendas të naftës dhe gazit dhe uljen e varësisë nga importet. Kryeministrja Giorgia Meloni tha se Italia duhet të shfrytëzojë burimet e saj, në vend që të blejë energji nga jashtë.
“Nuk ka shumë kuptim ta blejmë këtë energji jashtë, kur mund ta prodhojmë këtu, në Itali”, deklaroi Meloni.
Sipas dekretit, qeveria do të caktojë komisionerë për të përshpejtuar procedurat për lejet dhe koncesionet e kërkimit dhe nxjerrjes së hidrokarbureve.
Meloni tha se Italia nuk mund të presë me dekada për përfundimin e një procedure koncesioni. Qeveria argumenton se rritja e prodhimit vendas mund të ulë kostot e energjisë për familjet dhe bizneset dhe të forcojë sigurinë energjetike të vendit.
Masat parashikojnë gjithashtu të ardhura nga koncesionet, vende të reja pune dhe investime në zonat ku do të zhvillohet nxjerrja e naftës dhe gazit. Plani përfshin fusha tokësore, si Val d’Agri, si dhe zona detare, përfshirë fushën Argo-Cassiopeia në Kanalin e Siçilisë.
Vendimi i qeverisë është kundërshtuar nga opozita, e cila e akuzon ekzekutivin se po favorizon interesat e industrisë së naftës dhe gazit. Nicola Fratoianni,drejtues i Aleancës së të Gjelbërve dhe të Majtës, tha se lobet e naftës dhe gazit kanë “pushtuar Pallatin Chigi”, selinë e qeverisë italiane
/rtsh.al



