Home / Lajme / Mjedisi / ASK: 82.8% të emetimeve të CO₂ në Kosovë vijnë nga sektori i energjisë

ASK: 82.8% të emetimeve të CO₂ në Kosovë vijnë nga sektori i energjisë

Sektori i energjisë mbetet burimi kryesor i emetimeve të dioksidit të karbonit në Kosovë. Sipas publikimit më të ri të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), 82.8% e emetimeve të CO₂ në vitin 2023 kanë ardhur nga furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar.

Të dhënat janë pjesë e publikimit “Llogaritë e Emetimeve në Ajër (LLEA) 2023”, i publikuar më 25 shtator 2026, i cili mat emetimet sipas sektorëve ekonomikë në përputhje me metodologjinë e Bashkimit Evropian, përcjell Energy Monitor.

Në vlera absolute, sektori i energjisë ka emetuar 5,472 Gg CO₂, ose rreth 5.47 milionë tonë.

Sektori i dytë me emetimet më të larta është prodhimi, me 1,026.48 Gg CO₂, që përfaqëson rreth 15.5% të totalit. Kjo do të thotë se energjia ka gjeneruar mbi pesë herë më shumë emetime sesa industria prodhuese.

Sektorët e tjerë kanë peshë shumë më të vogël. Bujqësia, pylltaria dhe peshkimi kanë regjistruar 71.12 Gg CO₂, minierat dhe guroret 35.95 Gg, ndërsa ndërtimi vetëm 1.02 Gg.

Sipas ASK-së, energjia dhe prodhimi së bashku përbëjnë rreth 98.3% të emetimeve të CO₂ në këtë klasifikim ekonomik, ndërsa pjesa e mbetur u takon sektorëve të tjerë.

Publikimi i Llogarive të Emetimeve në Ajër është hartuar sipas Rregullores së BE-së nr. 691/2011 për Llogaritë Ekonomike Mjedisore Evropiane dhe synon të ofrojë të dhëna të krahasueshme për emetimet sipas sektorëve të ekonomisë.

SektoriEmetimet CO₂Përafërsisht në tonë
Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar5,472.00 Gg5,472,000
Prodhimi1,026.48 Gg1,026,480
Bujqësia, pylltaria dhe peshkimi71.12 Gg71,120
Minierat dhe guroret35.95 Gg35,950
Ndërtimi1.02 Gg1,020

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com