Home / Lajme / Kosova / Qeveria miraton projektligjet për Energjinë dhe Energjinë Elektrike

Qeveria miraton projektligjet për Energjinë dhe Energjinë Elektrike

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Energjinë dhe Projektligjin për Energjinë Elektrike, dy nga ligjet kryesore që synojnë ndryshimin e kornizës ligjore për sektorin energjetik.

Projektligji për Energjinë përcakton parimet dhe rregullat e përgjithshme për funksionimin e sektorit, ndërsa Projektligji për Energjinë Elektrike rregullon më në detaje funksionimin e tregut të energjisë elektrike, furnizimin, të drejtat e konsumatorëve dhe përgjegjësitë e pjesëmarrësve në treg, përcjell Energy Monitor.

Projektligji për Energjinë parashikon edhe mundësi për ndërhyrje të institucioneve në raste të caktuara të krizave energjetike dhe kur rrezikohet interesi publik. Një prej ndryshimeve lidhet me mundësinë e vendosjes së detyrimeve të shërbimit publik ndaj ndërmarrjeve energjetike, përfshirë masa që mund të lidhen me çmimin e furnizimit me energji elektrike.

Ndërkohë, Projektligji për Energjinë Elektrike synon të përshtatë më tej rregullat e tregut me zhvillimet e fundit në sektor, përfshirë integrimin e tregut, digjitalizimin dhe tranzicionin energjetik, njofton Energy Monitor.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, projektligjet synojnë përafrimin e legjislacionit të Kosovës me rregullat e Bashkimit Evropian për tregun e energjisë dhe forcimin e sigurisë së furnizimit, mbrojtjes së konsumatorëve dhe funksionimit të tregut.

Në të njëjtën mbledhje, Qeveria ka propozuar edhe kandidatë për kryetar dhe dy anëtarë të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Dy projektligjet janë pjesë e ndryshimeve më të gjera të kornizës ligjore të sektorit energjetik, krahas legjislacionit për rregullatorin dhe efiçiencën e energjisë.

Projektligji për Energjinë Elektrike është shqyrtuar më herët edhe në Komisionin për Ekonomi të Kuvendit, ku është miratuar në parim. Projektligjet më pas kanë qenë pjesë e procesit parlamentar të shqyrtimit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com