Home / Lajme / Makinat elektrike / Sa para mund të kurseni nëse kaloni në makinë elektrike? Tani mund ta llogarisni vetë

Sa para mund të kurseni nëse kaloni në makinë elektrike? Tani mund ta llogarisni vetë

A do të kursenit 500, 1,000 apo edhe mbi 2,000 euro në vit nëse e zëvendësoni makinën me benzinë ose naftë me një elektrike? Një kalkulator i ri për Kosovën ju lejon ta bëni llogarinë sipas kilometrave dhe shpenzimeve tuaja.

Në vend se të mbështeteni në vlerësime të përgjithshme, tani mund të shihni sa do t’ju kushtonte realisht kalimi në një veturë elektrike.

ECHARGE ka publikuar një kalkulator të kursimeve ku mund të vendosni sa kilometra bëni në vit, nëse aktualisht vozitni me naftë apo benzinë, konsumin e veturës dhe mënyrën se si do ta karikonit veturën elektrike, përcjell Energy Monitor.

Kalkulatori llogarit më pas koston për 100 kilometra, kursimin vjetor, kursimin për pesë vjet dhe sasinë e CO₂ të shmangur.

Për shembull, në konfigurimin fillestar të kalkulatorit, me 20,000 kilometra në vit, rezultati tregon një shpenzim prej rreth 2,960 eurosh në vit për karburant, ndërsa karikimi elektrik del rreth 304 euro. Diferenca e llogaritur është 2,656 euro në vit, ose mbi 13,000 euro për pesë vjet.

Natyrisht, kjo nuk do të thotë se çdo vozitës do të kursejë kaq. Rezultati ndryshon në varësi të konsumit të veturës, çmimit të karburantit, kilometrave të përshkuara dhe mënyrës së karikimit. Vetë kalkulatori e cilëson rezultatin si vlerësim orientues, njofton Energy Monitor.

Një tjetër pjesë interesante është se përdoruesi mund të zgjedhë nëse karikimin e bën kryesisht në shtëpi, në mënyrë të kombinuar apo kryesisht në rrugë. Kalkulatori merr parasysh edhe çmimet për karikimin AC dhe DC.

Për ata që po mendojnë të blejnë një veturë elektrike, kjo e bën llogarinë pak më konkrete: nuk është më vetëm pyetja sa kushton vetura, por edhe sa kushton ta vozitësh atë çdo vit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com