Është konstituuar Këshilli Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, i cili synon të forcojë bashkëpunimin institucional dhe dialogun ndërmjet institucioneve, punëdhënësve dhe punëmarrësve për çështjet e sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës.
Në mbledhjen e parë të Këshillit, ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, u zgjodh kryetar, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nënkryetar, ndërsa eksperti për siguri dhe shëndet në punë, Burim Islami, sekretar.
Ministri Hoti tha se angazhimi institucional për sigurinë dhe shëndetin në punë po shoqërohet me rezultate konkrete. Sipas tij, vetëm gjatë këtij viti Inspektorati Qendror i Punës ka realizuar mbi 8,600 inspektime dhe ka ndaluar punimet në 290 vendpunishte ku është evidentuar rrezik për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve, përcjell Energy Monitor.
Gjatë këtij viti është realizuar edhe një inspektim i jashtëzakonshëm në nivel vendi, ndërsa inspektimi digjital tashmë zbatohet në mbi 90% të inspektimeve.
Në kuadër të forcimit të kapaciteteve të inspektimit, po përmbyllet edhe rekrutimi i 39 inspektorëve të rinj, ndërsa institucionet po punojnë për pajisjen e inspektorëve me vetura të reja, me qëllim të rritjes së kapaciteteve dhe efikasitetit në terren.
Të dhënat për sigurinë në punë marrin rëndësi të veçantë edhe në sektorin e energjisë. Vetëm në KEK gjatë vitit 2026 kanë humbur jetën katër punëtorë në aksidente në vendin e punës, ndërsa Inspektorati i Punës ka trajtuar dhjetëra raste aksidentesh dhe ankesash nga punëtorët, raporton Energy Monitor.
Përveç rasteve fatale, janë ngritur shqetësime edhe për ekspozimin e punëtorëve ndaj pluhurit, gazrave, zhurmës dhe faktorëve të tjerë industrialë. Në shtator, KosovoEnergy raportoi se nga viti 2024 deri më tani në KEK janë trajtuar 32 raste të aksidenteve në vendin e punës, ndërsa në 21 rastet që kanë qenë në kompetencë të Inspektoratit janë shqiptuar masa ndëshkimore.
Këshilli Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë pritet të shërbejë si platformë për zhvillimin e dialogut social ndërmjet institucioneve, punëdhënësve dhe punëmarrësve, me synimin që çështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë të adresohen përmes politikave dhe masave konkrete.
Në sektorin energjetik, ndërkohë, janë ndërmarrë edhe iniciativa për forcimin e kapaciteteve profesionale. KEDS ka certifikuar këtë vit grupin e dytë të ekspertëve për siguri dhe shëndet në punë, përmes një programi trajnimi të akredituar dhe të licencuar.
Hapi i ardhshëm do të jetë hartimi i Planit të Punës së Këshillit. Për këtë qëllim, një grup punues do të përgatisë draftin fillestar, i cili më pas do të shqyrtohet dhe finalizohet në mbledhjen e radhës.



