Home / Lajme / Kosova / Kuvendi miraton në lexim të parë dy projektligjet për energjinë

Kuvendi miraton në lexim të parë dy projektligjet për energjinë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për Energjinë dhe Projektligjin për Energjinë Elektrike, duke i kaluar dy dokumentet në fazën e shqyrtimit të mëtejshëm parlamentar. Projektligjet u miratuan me 60 vota për, ndërsa një deputet abstenoi.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha gjatë prezantimit se Projektligji për Energjinë ka në fokus të drejtat dhe mbrojtjen e konsumatorëve, si dhe krijimin e një kornize më të qartë për funksionimin e sektorit energjetik.

Sipas Rizvanollit, ndryshimet synojnë ndër të tjera rritjen e konkurrencës në treg dhe përcaktimin më të qartë të detyrimeve për operatorët e rrjetit.

Dy projektligjet janë pjesë e paketës së re ligjore për sektorin energjetik, e cila sipas Ministrisë së Ekonomisë synon përafrimin e legjislacionit të Kosovës me rregullat e Bashkimit Evropian. Projektligji për Energjinë Elektrike përfshin ndër të tjera rregulla për funksionimin e tregut, të drejtat e konsumatorëve, integrimin e tregut, digjitalizimin dhe tranzicionin energjetik, njofton Energy Monitor.

Një pjesë e debatit në Kuvend u përqendrua te roli i Qeverisë dhe pavarësia e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, kundërshtoi projektligjet, duke argumentuar se ato nuk ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme për qytetarët dhe se i japin Qeverisë kompetenca të gjera në sektorin energjetik.

Ramadani tha se përmes këtyre projektligjeve Qeveria mund të ndërhyjë edhe në çështje që lidhen me çmimet e energjisë elektrike, duke ngritur shqetësimin se kjo mund të ndikojë në pavarësinë e rregullatorit dhe të krijojë hapësirë për favorizime.

Debati për rolin e ZRRE-së nuk është i ri në procesin e hartimit të këtyre ligjeve. Gjatë shqyrtimit në Komisionin për Ekonomi në prill, deputetë të opozitës kishin ngritur shqetësime për centralizimin e kompetencave në sektorin energjetik, ndërsa ministrja Rizvanolli kishte argumentuar se kompetencat e rregullatorit përshtaten me kërkesat e legjislacionit evropian.

Projektligji për Energjinë Elektrike ishte miratuar në parim edhe në Komisionin për Ekonomi më 15 prill, ndërsa në fund të shtatorit të dy projektligjet morën mbështetjen e këtij komisioni para se të procedoheshin për shqyrtim në seancë plenare, përcjell Energy Monitor.

Qeveria i kishte miratuar të dy projektligjet më 27 shtator, duke i cilësuar si pjesë të reformës së kornizës ligjore të sektorit energjetik. Sipas Qeverisë, qëllimet përfshijnë sigurinë e furnizimit, mbrojtjen e konsumatorëve, funksionimin më konkurrues të tregut dhe përafrimin me acquis të BE-së.

Miratimi në lexim të parë nuk e përmbyll procesin ligjvënës. Projektligjet tani kalojnë në shqyrtim në komisionin përgjegjës dhe në komisionet e tjera parlamentare, ku mund të propozohen amendamente para shqyrtimit të dytë në Kuvend.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com