Rreth 25 mijë familje në Ballkanin Perëndimor kanë investuar në përmirësimin e efiçiencës së energjisë dhe përdorimin e teknologjive të gjelbra në shtëpitë e tyre përmes financimit të ofruar në kuadër të programit Green Economy Financing Facility (GEFF), bëri të ditur Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Programi mbështetet nga BERZH, Bashkimi Evropian dhe donatorë të tjerë dhe synon t’u mundësojë familjeve të investojnë në masa që ulin konsumin e energjisë, shpenzimet për energji dhe emetimet, duke përmirësuar njëkohësisht kushtet e banimit.
Sipas BERZH-it, familjet në rajon kanë përdorur financimin për masa të ndryshme, përfshirë termoizolimin, dritaret me performancë të lartë energjetike, pompat e nxehtësisë, sistemet me biomasë dhe panelet solare.
Arritja e 25 mijë familjeve u shënua në Serbi, ku një familje në Vrçin, pranë Beogradit, u bë përfituese e 25-mijtë e programit në Ballkanin Perëndimor. Familja investoi në panele solare në kulm, me synim prodhimin e energjisë së pastër dhe uljen e faturave të energjisë, përcjell Energy Monitor.
BERZH tha se familja kishte shpenzuar më herët rreth 100 euro në muaj për energji elektrike, ndërsa pas instalimit të paneleve solare shpenzimet ishin ulur në rreth 25 euro në muaj. Familja kishte investuar gjithashtu në një pompë nxehtësie për të zëvendësuar sobën e vjetër me dru dhe qymyr.
Programi GEFF funksionon përmes bankave dhe institucioneve financiare partnere. BERZH u siguron këtyre institucioneve financim, ndërsa familjet marrin kredi për investime në teknologji dhe masa të pranueshme për efiçiencë të energjisë dhe energji të ripërtëritshme. Në disa raste, familjet mund të përfitojnë edhe grante të financuara nga BE-ja dhe donatorë të tjerë.
Që nga fillimi i programit në vitin 2017, BERZH ka nënshkruar 280 milionë euro kredi GEFF me 38 institucione financiare partnere në rajon. Programi në Ballkanin Perëndimor bashkëfinancohet nga BE-ja përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, si dhe nga Austria, Danimarka, Japonia dhe donatorë të tjerë përmes partneriteteve klimatike të BERZH-it.
Në Kosovë, GEFF ofron financim për familjet përmes institucioneve financiare vendore. Në gusht të këtij viti, BERZH miratoi një kredi deri në 6 milionë euro për TEB Kosovën në kuadër të programit Western Balkans GEFF III – REpower Residential, me qëllim financimin e investimeve në teknologji me performancë të lartë për efiçiencë të energjisë dhe energji të ripërtëritshme në sektorin rezidencial, njofton Energy Monitor.
Programet e financimit të familjeve për efiçiencë të energjisë janë duke u zgjeruar paralelisht edhe përmes skemave publike në Kosovë. Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë raportoi se gjatë vitit 2025, gjithsej 1,340 familje në Kosovë përfituan nga masat e efiçiencës së energjisë.
Në shtator, Ministria e Ekonomisë njoftoi gjithashtu se programi për familjet e cenueshme po synon mbështetjen e 280 familjeve deri në vitin 2028. Në rastin e një familjeje përfituese në Prishtinë, investimet në izolimin termik të fasadës dhe kulmit pritet të ulin konsumin e energjisë me rreth 74 për qind.



