Evropa ka rezerva të mëdha nafte dhe karburantesh të krijuara për raste krizash, por ato nuk kontrollohen nga një institucion i vetëm në Bruksel. Rezervat janë kryesisht nën kontrollin e shteteve anëtare, ndërsa Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) koordinon ndërhyrjet e përbashkëta në rast të krizave të mëdha të furnizimit.
Sipas rregullave të Bashkimit Evropian, çdo shtet duhet të mbajë rezerva emergjente të naftës në një nivel të barasvlershëm me të paktën 90 ditë importe neto ose 61 ditë konsum të brendshëm, duke u marrë si referencë niveli më i lartë.
Këto rezerva nuk ruhen në një depo të përbashkët evropiane. Ato mbahen nga qeveritë, agjencitë kombëtare të rezervave ose kompanitë e industrisë, në varësi të sistemit që ka secili shtet, përcjell Energy monitor.
Në rastin e produkteve të naftës, Gjermania dhe Franca kanë një peshë të veçantë. Të dyja vendet së bashku mbajnë rreth 35 për qind të rezervave emergjente të dieselit dhe gazolit në BE. Gjermania ka rreth 5.6 milionë tonë, ndërsa Franca rreth 8.2 milionë tonë.
Kjo është bërë veçanërisht e rëndësishme tani që tregu evropian po përballet me presion të madh mbi furnizimin me diesel. Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar vendeve evropiane, veçanërisht Gjermanisë dhe Francës, të lirojnë një pjesë të rezervave emergjente për të shtuar furnizimin në treg dhe për të frenuar rritjen e çmimeve.
Megjithatë, Komisioni Evropian nuk mund të urdhërojë vetë hapjen e rezervave kombëtare. Brukseli përcakton rregullat, monitoron nivelin e rezervave dhe koordinon shtetet, por vendimi për përdorimin e tyre mbetet në duart e qeverive kombëtare.
Në rastin e një krize të madhe ndërkombëtare, roli kryesor i koordinimit i takon IEA-së. Në mars të këtij viti, 32 vendet anëtare të agjencisë ranë dakord për lirimin e 400 milionë fuçive naftë, në reagimin më të madh të këtij lloji në historinë e IEA-së.
Edhe në atë rast, rezervat nuk u nxorën nga një depo e vetme. Çdo shtet përcaktoi kontributin e vet, ndërsa IEA koordinoi veprimin në mënyrë që sasi të mëdha nafte dhe produktesh të naftës të hynin në treg në mënyrë të sinkronizuar.
Evropa kontribuoi me 107.5 milionë fuçi në atë operacion. Rreth 32.7 milionë fuçi erdhën nga rezervat emergjente shtetërore, ndërsa pjesa tjetër nga rezervat që industria është e detyruar të mbajë.
Për Evropën, problemi është se përdorimi i rezervave sot e rrit furnizimin në treg dhe mund të ndihmojë në uljen e presionit mbi çmimet, por në të njëjtën kohë zvogëlon sasinë e karburanteve të gatshme për një krizë të re.
Për Kosovën, e cila varet tërësisht nga importi i derivateve të naftës, zhvillimet në tregun evropian kanë rëndësi të drejtpërdrejtë. Në shtator, Energy Monitor raportoi se rezervat vendore mbulojnë vetëm disa ditë konsum dhe se mungesa e rezervave të mëdha strategjike e ekspozon tregun ndaj lëvizjeve të çmimeve ndërkombëtare.
Ndërkohë, Energy Monitor ka raportuar edhe për ndryshimet që Shqipëria po bën në sistemin e rezervave të sigurisë së hidrokarbureve, me synimin për të kaluar drejt një modeli të administruar nga shteti.
Zhvillimet e fundit tregojnë se rezervat strategjike të naftës nuk janë thjesht një masë rezervë për raste ekstreme. Në periudha të krizave të furnizimit, ato mund të përdoren për të shtuar përkohësisht ofertën në treg dhe për të zbutur goditjen ndaj konsumatorëve dhe ekonomisë. Por sa dhe kur përdoren ato mbetet në fund një vendim i shteteve që i kontrollojnë.



