Ministrat e energjisë të Greqisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë po takohen sot në Beograd, në samitin e dytë katërpalësh për bashkëpunimin energjetik, me fokus te siguria e furnizimit, interkoneksionet dhe zhvillimi i infrastrukturës së përbashkët rajonale.
Takimi vjen pas samitit të parë të mbajtur në Athinë në maj, kur katër vendet ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin në energji dhe të përshpejtojnë projektet ndërkufitare.
Një nga projektet kryesore në këtë bashkëpunim është zgjerimi i Korridorit Vertikal të Gazit drejt Ballkanit Perëndimor. Maqedonia e Veriut dhe Serbia iu bashkuan zyrtarisht iniciativës në shtator, përmes nënshkrimit të një memorandumi nga operatorët e sistemeve të transmetimit, përcjell Energy monitor.
Korridori synon të mundësojë transportin e gazit nga jugu drejt veriut, duke lidhur terminalet LNG dhe burimet e tjera të furnizimit në Greqi me Bullgarinë, Rumaninë dhe më tej me tregjet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Zgjerimi drejt Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë krijon një degë të re të këtij rrjeti drejt Ballkanit Perëndimor.
Për Maqedoninë e Veriut, një pjesë e rëndësishme e këtij korridori është interkonektori me Greqinë. Gazsjellësi është në ndërtim dhe ka një kapacitet fillestar prej 1.5 miliardë metrash kub në vit, me mundësi zgjerimi në të ardhmen. Projekti pritet të përfundojë gjatë vitit 2027 dhe do t’i japë vendit qasje në burime të reja të gazit, përfshirë LNG-në nga terminalet greke.
Në drejtim të veriut, Maqedonia e Veriut po ndërton edhe lidhjen e gazit me Serbinë. Kontrata për pjesën maqedonase të projektit është nënshkruar në gusht, ndërsa i gjithë interkonektori do të ketë një gjatësi prej rreth 70 kilometrash. Kapaciteti i planifikuar është rreth 1.5 miliardë metra kub në vit.
Përmes këtyre dy lidhjeve, Maqedonia e Veriut synon të krijojë një rrugë të re furnizimi që lidh Greqinë me Serbinë dhe më tej me tregjet veriore. Kjo do të diversifikonte burimet dhe rrugët e furnizimit dhe do të rriste mundësinë për flukse dykahëshe të gazit në rajon.
Ndërkohë, Serbia po investon në zgjerimin e infrastrukturës së gazit dhe synon të forcojë lidhjet me burime të ndryshme furnizimi. Në këtë kuadër, interkonektori me Maqedoninë e Veriut shihet si pjesë e një rrjeti më të gjerë që mund të sjellë gaz nga jugu drejt tregjeve të Ballkanit dhe Evropës Qendrore.
Bashkëpunimi nuk kufizohet vetëm te gazi. Në takimin e sotëm pritet të diskutohen edhe siguria e furnizimit me energji elektrike, interkoneksionet e rrjeteve, zhvillimi i burimeve të ripërtëritshme dhe magazinimi i energjisë. Këto çështje po marrin rëndësi më të madhe në rajon, ndërsa rritja e prodhimit nga era dhe dielli po kërkon më shumë fleksibilitet dhe kapacitete të reja të rrjetit, njofton Energy monitor.
Për Maqedoninë e Veriut, zhvillimi i këtyre lidhjeve përkon me zgjerimin e shpejtë të energjisë diellore dhe me investimet në bateri për ruajtjen e energjisë. Vendi ka miratuar tashmë dhjetëra projekte të reja të magazinimit dhe po ndërton kapacitete të reja për lidhjen e sistemeve energjetike me tregjet rajonale.
Në këtë mënyrë, takimi në Beograd synon të kalojë nga marrëveshjet politike të muajve të fundit drejt koordinimit më konkret të infrastrukturës, kapaciteteve dhe tregjeve energjetike. Për rajonin, qëllimi është krijimi i rrjeteve më të ndërlidhura dhe i më shumë alternativave për furnizim me energji.



