Home / Lajme / Rajoni / Shqipëri: Fotovoltaikët po rriten më shpejt se rrjeti, Hoxhara dhe Erseka përballen me kufizime

Shqipëri: Fotovoltaikët po rriten më shpejt se rrjeti, Hoxhara dhe Erseka përballen me kufizime

Rritja e shpejtë e kapaciteteve të reja të energjisë së rinovueshme në Shqipëri po krijon presion të ri mbi rrjetin e transmetimit, ndërsa Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) paralajmëron për kufizime teknike në disa prej zonave ku është përqendruar zhvillimi i projekteve fotovoltaike.

Në një intervistë për revistën “Monitor”, administratori i OST-së, Elisian Bici, thotë se investimet në centrale të reja, veçanërisht fotovoltaike, po ecin më shpejt se zhvillimi i infrastrukturës së transmetimit.

Sipas tij, presioni mbi rrjet nuk përcaktohet vetëm nga sasia totale e kapaciteteve të reja, por edhe nga përqendrimi gjeografik i centraleve, njëkohshmëria e prodhimit diellor, niveli i tensionit ku lidhen projektet dhe aftësia e rrjetit për ta transportuar energjinë drejt qendrave të konsumit apo interkonjeksioneve, përcjell Energy monitor.

Ndër zonat ku OST identifikon nevoja të mëdha për rritje të kapacitetit janë Fieri dhe Hoxhara, por edhe Jugu dhe Juglindja. Hoxhara, Ballshi dhe Erseka mund të përballen me kufizime teknike, mbingarkesa të linjave dhe nënstacioneve dhe vështirësi në përmbushjen e kritereve të sigurisë N dhe N-1 nëse investimet në rrjet nuk realizohen në kohë.

Hoxhara është kthyer në një nga nyjet kryesore të zhvillimit fotovoltaik në vend, ndërsa rrjeti ekzistues 110 dhe 220 kV mund t’i afrohet kufijve teknikë në disa skenarë operimi.

Në Juglindje, OST e sheh të nevojshëm një ndryshim më të thellë të strukturës së rrjetit. Për këtë arsye, ndër projektet strategjike është zhvillimi i nënstacionit të Ersekës në nivelin 400 kV dhe ndërtimi i linjës 400 kV Ersekë-Zemblak.

Sipas OST-së, ky korridor do të krijonte një rrugë më të qëndrueshme për evakuimin e energjisë së prodhuar në Juglindje drejt rrjetit kombëtar 400 kV dhe do të ulte varësinë e kësaj zone nga rrjeti 110 kV.

Në Perëndim dhe Jugperëndim, një tjetër prioritet është zhvillimi i nënstacionit të Hoxharës në 400 kV dhe korridorit 400 kV Rrashbull-Hoxharë-Fier.

Investimet nuk kufizohen vetëm te linjat e transmetimit. OST parashikon zgjerimin e kapaciteteve transformuese 400/220 kV dhe 220/110 kV, rehabilitimin e nënstacioneve, modernizimin e sistemeve të kontrollit dhe mbrojtjes, si dhe pajisje për kontrollin e tensionit dhe kompensimin e fuqisë reaktive, raporton Energy monitor.

Nevoja për këto ndërhyrje po rritet paralelisht me prodhimin diellor. Sipas të dhënave të OST-së të cituara nga Bici, prodhimi fotovoltaik i lidhur me rrjetin e transmetimit u rrit nga rreth 414 GWh në janar-gusht 2025 në rreth 728 GWh në të njëjtën periudhë të vitit 2026. Vetëm në korrik, prodhimi arriti rreth 137 GWh, kundrejt 73 GWh një vit më parë.

Kjo rritje ndryshon edhe mënyrën e operimit të sistemit. Në orët e mesditës, kur prodhimi diellor është i lartë, nevoja për energji nga burimet e tjera ulet, ndërsa në mbrëmje prodhimi fotovoltaik bie shpejt në një kohë kur konsumi mbetet relativisht i lartë.

OST vlerëson se bateritë do të kenë rol gjithnjë e më të rëndësishëm në këtë fazë. Sistemet e magazinimit mund të ruajnë energjinë gjatë orëve me prodhim të lartë diellor dhe ta rikthejnë atë në rrjet kur prodhimi bie ose kërkesa rritet, duke ndihmuar në balancimin e sistemit dhe integrimin e më shumë burimeve të rinovueshme.

Ky është një zhvillim që vjen në një moment kur Shqipëria po përgatit një cikël të ri investimesh në transmetim. Sipas Bicit, plani 10-vjeçar i zhvillimit të rrjetit për periudhën 2026-2035 është ende në hartim dhe pritet t’i dërgohet Entit Rregullator të Energjisë në nëntor 2026. Për këtë arsye, OST ende nuk ka përcaktuar shumën përfundimtare të kapitalit që do të nevojitet.

Plani pritet të fokusohet në zhvillimin e rrjetit 400 kV, fuqizimin e Jugut dhe Jugperëndimit, korridorin Rrashbull-Hoxharë-Fier, zgjerimin e nënstacioneve të Hoxharës, Vaut të Dejës dhe Fierzës, si dhe zhvillimin e rrjetit në Juglindje.

Një pjesë e rëndësishme e këtij procesi pritet të mbështetet edhe nga një studim i Bankës Botërore për zhvillimin dhe integrimin e burimeve të rinovueshme në sistemin shqiptar. Studimi analizon skenarët e prodhimit dhe konsumit për vitet 2030, 2035 dhe 2040 dhe nevojat për investime në rrjet.

Në të njëjtën kohë, OST e lidh forcimin e rrjetit të brendshëm me rritjen e kapaciteteve ndërkufitare. Ndër projektet prioritare përmenden interkonjeksioni 400 kV me Maqedoninë e Veriut përmes korridorit Fier-Elbasan-Qafë Thanë-Manastir, linja e re 400 kV Fier-Thesproti me Greqinë dhe interkonjeksioni i dytë 400 kV me Kosovën përmes Fierzës dhe Prizrenit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com