Institucionet e Kosovës po përgatiten për pjesëmarrjen në Konferencën e 31-të të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP31), që do të mbahet nga 9 deri më 20 nëntor në Antalia të Turqisë, përmes trajnimeve që synojnë forcimin e aftësive negociuese dhe të diplomacisë klimatike.
Trajnimi i dytë për diplomacinë klimatike mblodhi për tri ditë anëtarë të Task-Forcës dhe delegacionit të Kosovës për COP31, Sekretariatit Teknik dhe përfaqësues të institucioneve të tjera relevante. Programi u zhvillua në bashkëpunim me Qendrën për Negociata Shumëpalëshe (CEMUNE), duke ndërthurur shkëmbimin e njohurive me ushtrime praktike dhe simulime negociatash.
Përgatitjet synojnë që Kosova t’i komunikojë më qartë prioritetet e saj në fushën e klimës dhe energjisë, të forcojë partneritetet ndërkombëtare dhe të koordinojë më mirë angazhimin e institucioneve në proceset globale klimatike, përcjell Energy Monitor.
Nisma mbështetet në përvojën e trajnimit të parë, të mbajtur në dhjetor të vitit 2025 në kuadër të Partneritetit Kosovë–Gjermani për Klimën dhe Tranzicionin Energjetik. Ky partneritet synon të ndihmojë Kosovën në zhvillimin e politikave klimatike, avancimin e tranzicionit energjetik dhe rritjen e pjesëmarrjes në proceset ndërkombëtare, përfshirë Konventën Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC).
Me mbështetjen e Qeverisë gjermane, delegacionet e Kosovës kanë marrë pjesë në tri konferenca të njëpasnjëshme COP. Konferenca e sivjetme do të shënojë pjesëmarrjen e katërt radhazi, duke krijuar mundësi për të zgjeruar kontaktet ndërkombëtare dhe për të avancuar prioritetet e vendit lidhur me politikat klimatike, financimin për klimën, përshtatjen dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike.
Përgatitjeve u kanë kontribuar edhe pjesëmarrjet e Kosovës në Javën e Katërt të Klimës të UNFCCC-së dhe në Javën e Veprimit për Klimën në Baku, në shtator të këtij viti. Këto aktivitete kanë ofruar mundësi për shkëmbim përvojash dhe diskutime mbi zbatimin e zotimeve klimatike, financimin, dekarbonizimin industrial dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Gjatë trajnimit të dytë, pjesëmarrësit shqyrtuan proceset negociuese të UNFCCC-së dhe COP-it, negociatat dypalëshe dhe shumëpalëshe, ndërtimin e koalicioneve dhe avokimin. Një pjesë e rëndësishme iu kushtua planit të angazhimit të Kosovës për COP31, përfshirë prioritetet klimatike, mësimet nga konferencat e mëparshme dhe përgatitjet praktike për pjesëmarrjen në Antalia.
Pjesëmarrësit punuan gjithashtu në zhvillimin e mesazheve diplomatike të Kosovës për klimën, identifikimin e partnerëve strategjikë dhe krijimin e kontakteve që mund të mbështesin projekte konkrete të lidhura me objektivat klimatike të vendit dhe Kontributin e Përcaktuar Kombëtar (NDC), raporton Energy Monitor.
Arberesha Isufi, udhëheqëse e Divizionit për Planifikim Strategjik dhe Bashkëpunim Rajonal në Ministrinë e Ekonomisë, tha se trajnimet praktike u kanë ndihmuar pjesëmarrësve të përgatiten për angazhimin në konferencën e ardhshme.
“Ky trajnim ishte jashtëzakonisht dinamik dhe interaktiv, duke na ofruar mundësinë që përmes simulimeve praktike të përgatitemi në mënyrë efektive për sfidat dhe mundësitë e angazhimit tonë në COP31”, tha Isufi.
Trajnimi u zhvillua në kuadër të projektit për mbështetjen e Partneritetit për Klimën dhe Tranzicionin Energjetik, të zbatuar nga GIZ-i me mbështetjen e Ministrisë Federale Gjermane për Mjedisin, Veprimin Klimatik, Ruajtjen e Natyrës dhe Sigurinë Bërthamore, përmes Iniciativës Ndërkombëtare për Klimën (IKI).



