Home / Lajme / Mjedisi / Ministria e Mjedisit gjobit Prishtinën me 5 mijë euro tjera për mbeturinat

Ministria e Mjedisit gjobit Prishtinën me 5 mijë euro tjera për mbeturinat

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) i ka shqiptuar edhe një gjobë prej 5 mijë eurosh Komunës së Prishtinës për moskryerjen e obligimeve ligjore në menaxhimin e mbeturinave. Kështu, sipas ministres Fitore Pacolli, vlera e dy gjobave ndaj komunës arrin në 10 mijë euro.

Pacolli ka bërë të ditur se masa ndëshkuese janë shqiptuar edhe ndaj Komunës së Istogut dhe kompanive rajonale të mbeturinave në Prishtinë, Pejë dhe Deçan, për shkak të gjendjes së rëndë me mbeturinat në disa pjesë të vendit.

Duke folur pas mbledhjes së Qeverisë, ministrja e ka cilësuar situatën si rrezik për mjedisin dhe shëndetin publik. Ajo ka kritikuar veçanërisht Komunën e Prishtinës dhe ndërmarrjen publike “Pastrimi”, duke thënë se ministria ka shtuar inspektimet dhe mbikëqyrjen për të parandaluar keqmenaxhimin, përcjell Energy Monitor.

Sipas Pacollit, Komuna e Istogut është gjobitur me 5 mijë euro, ndërsa kompanisë “Pastrimi” në Prishtinë i janë shqiptuar 2 mijë euro gjobë. Kompania “Ambienti” në Pejë është gjobitur dy herë, me 5 mijë dhe 2 mijë euro, kurse kompanisë “Higjiena” në Deçan i është shqiptuar gjobë prej 2 mijë eurosh.

Ministrja ka thënë se inspektorët kanë ndëshkuar edhe qytetarë që hedhin mbeturina në vende të palejuara. Kontrollet, sipas saj, kryhen edhe përmes dronëve dhe kamerave. Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që mbeturinat t’i dërgojnë në deponitë përkatëse, të cilat janë të hapura çdo të shtunë.

Pacolli ka njoftuar gjithashtu se gjendja është më e rëndë në komunat veriore, ku është caktuar lokacioni për ndërtimin e një deponie të re në bashkëpunim me Bashkimin Evropian.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com