Njësia A3 e Termocentralit Kosova A është rikthyer në operim në orët e para të mëngjesit, pas përfundimit të ndërhyrjeve teknike dhe sanimit të problemeve të evidentuara, ka njoftuar Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
Sipas KEK-ut, njësia është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik dhe aktualisht po operon në gjendje stabile.
Korporata ka bërë të ditur se rikthimi i njësisë është rezultat i punës së ekipeve teknike, të cilat u angazhuan për eliminimin e problemeve dhe rikthimin e saj në funksion, përcjell Energy Monitor.
KEK-u ka falënderuar stafin profesional dhe teknik, si dhe punonjësit e TC Kosova A, për angazhimin dhe përkushtimin në përballimin e sfidave teknike dhe sigurimin e vazhdimësisë së prodhimit të energjisë elektrike.



