Home / Lajme / Kosova / Konsumi i rrymës në Kosovë u rrit për 35 për qind, pavarësisht blloktarifave

Konsumi i rrymës në Kosovë u rrit për 35 për qind, pavarësisht blloktarifave

Konsumi i energjisë elektrike në amvisëritë e Kosovës është rritur për 34.9 për qind ndërmjet viteve 2019 dhe 2025, ndonëse gjatë kësaj periudhe janë rikthyer blloktarifat, të cilat synonin të nxisnin kursimin e energjisë dhe të frenonin shpenzimet e larta.

Sipas të dhënave të publikuara nga Buletini Ekonomik, konsumi vjetor i energjisë elektrike në amvisëri është rritur nga 2.515 gigavat-orë në vitin 2019 në 3.393 gigavat-orë në vitin 2025.

Blloktarifat parashohin që konsumatorët familjarë të paguajnë një çmim më të lartë për energjinë e shpenzuar mbi pragun prej 800 kilovat-orësh në muaj. Mekanizmi u rikthye me synimin që të dekurajojë konsumin e lartë, veçanërisht gjatë muajve të dimrit, kur kërkesa për energji elektrike rritet ndjeshëm, përcjell Energy Monitor.

Megjithatë, shifrat për periudhën gjashtëvjeçare tregojnë se konsumi i përgjithshëm i amvisërive ka vazhduar të rritet. Sipas analizës së Buletinit Ekonomik, kjo vë në pikëpyetje efektin e blloktarifave në uljen e konsumit, ndërsa mekanizmi ka ndikuar drejtpërdrejt në shumën që paguajnë familjet që kalojnë pragun mujor.

Sipas tarifave aktuale, energjia e konsumuar deri në 800 kWh paguhet me çmim prej 9.05 centësh për kilovat-orë, ndërsa për konsumin mbi këtë prag tarifa është 15.43 centë për kilovat-orë. Për tarifat e natës, çmimet janë përkatësisht 3.88 dhe 7.28 centë.

Qeveria: Konsumi i amvisërive është stabilizuar

Megjithatë, të dhënat për periudhën 2019–2025 nuk e paraqesin të gjithë historinë e zhvillimeve të konsumit. Ministria e Ekonomisë ka argumentuar se gjatë tri viteve të fundit konsumi i amvisërive është rritur mesatarisht për më pak se 0.2 për qind në vit, pavarësisht kyçjes së dhjetëra mijëra shtëpive dhe banesave të reja në sistem.

Në komentet e saj për shqyrtimin e tarifave të energjisë elektrike në vitin 2025, Ministria kishte vlerësuar se blloktarifat dhe investimet në efiçiencën e energjisë kanë ndihmuar në frenimin e konsumit. Sipas saj, rritja e konsumit në tregun e rregulluar gjatë kësaj periudhe ishte nxitur kryesisht nga bizneset.

Një pjesë e debatit lidhet edhe me subvencionimin e pajisjeve për ngrohje më efiçiente, si kondicionerët dhe pompat termike. Qeveria ka mbështetur mijëra familje dhe biznese për blerjen e këtyre pajisjeve, me synimin që të ulet përdorimi i mënyrave më pak efiçiente të ngrohjes.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kishte deklaruar se familjet përfituese nga skemat e subvencionimit e kishin ulur mesatarisht konsumin e energjisë elektrike për 19 për qind gjatë dimrit, pas instalimit të pajisjeve. Ajo kishte kundërshtuar pretendimet se këto skema kishin shkaktuar rritjen e ngarkesës në rrjet.

Nga ana tjetër, përfaqësues të INDEP-it dhe disa ekspertë të sektorit kanë vlerësuar se kalimi i një numri të madh familjesh nga ngrohja me dru, pelet dhe lëndë të tjera djegëse në ngrohje me energji elektrike ka shtuar kërkesën për rrymë, veçanërisht gjatë dimrit.

Rritja e konsumit dhe presioni mbi rrjetin janë bërë të dukshme edhe gjatë periudhave të ftohta. Në dhjetor të vitit 2025, KEDS kishte raportuar rritje të ndjeshme të konsumit dhe kishte paralajmëruar kufizime në furnizim në disa rajone për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme.

Të dhënat për vitet 2019–2025 tregojnë një rritje të konsiderueshme të energjisë së shpenzuar nga amvisëritë. Por, për të vlerësuar ndikimin e blloktarifave dhe subvencioneve, duhet të dallohen trendet e përgjithshme nga konsumi për familje, si dhe të merren parasysh numri i konsumatorëve të rinj, ndryshimet në mënyrat e ngrohjes dhe zhvillimet në sektorin e banimit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com