Shkëmbimet komerciale të energjisë elektrike ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian mbetën 14.3% më të ulëta në tremujorin e tretë të vitit 2026 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, pavarësisht rikuperimit të pjesshëm të muajve të fundit. Sekretariati i Komunitetit të Energjisë vlerëson se kostot e Mekanizmit të Rregullimit të Kufirit të Karbonit (CBAM) janë njëri nga faktorët që po ndikojnë në tregtinë ndërkufitare.
Sipas raportit të tretë tremujor për ndikimin e CBAM-it, shkëmbimet e planifikuara të energjisë mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe tregjeve fqinje të BE-së u rritën 8.6% në krahasim me tremujorin e dytë, por mbetën dukshëm nën nivelin e vitit 2025. Për periudhën janar-shtator, rënia ishte 17.8%, përcjell Energy Monitor.
Rajoni mbeti importues neto i energjisë elektrike. Megjithatë, zhvillimet ndryshuan ndjeshëm nga një korridor ndërkufitar në tjetrin, ndërsa rritja e tregtimit në bursat e energjisë në Ballkanin Perëndimor vazhdoi edhe gjatë tremujorit të tretë.
Diferencat mes çmimeve ndërmjet tregjeve në Ballkan u zgjeruan
Një nga gjetjet kryesore të raportit është rritja e diferencave të çmimeve ndërmjet tregjeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së. Në 53.9% të orëve të tremujorit të tretë, diferenca absolute e çmimeve në tetë korridoret e analizuara ishte më e lartë se 20 euro për megavat-orë (MWh). Në tremujorin e dytë kjo ndodhte në 43.5% të orëve, ndërsa një vit më parë në vetëm 21.7%.
Në shtator, kjo përqindje arriti në 63%. Edhe pse çmimet në Ballkanin Perëndimor lëvizën më ngushtë me tregun hungarez sesa në tremujorin paraprak, kjo nuk nënkuptonte përafrim të niveleve të çmimeve.
Në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2025, çmimet u rritën më shumë në të gjitha tregjet fqinje të BE-së sesa në zonat e ofertimit të Ballkanit Perëndimor. Si rezultat, të gjitha tregjet e rajonit kishin çmime më të ulëta se Italia, Hungaria, Rumania dhe Kroacia, raporton Energy Monitor.
Në Kosovë, prodhimi i energjisë elektrike u rrit 10.1% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025, kryesisht si rezultat i prodhimit më të lartë nga linjiti. Kërkesa për energji në vend mbeti pothuajse e pandryshuar. Në fund të tremujorit, korrelacioni i çmimeve të Kosovës me tregun hungarez ishte 0.76, që tregon se çmimet lëviznin në të njëjtin drejtim, por jo domosdoshmërisht në të njëjtin nivel.
Bursat e energjisë rritin aktivitetin
Përderisa shkëmbimet me tregjet e BE-së mbetën nën nivelin e vitit të kaluar, aktiviteti në bursat e energjisë në Ballkanin Perëndimor vazhdoi të rritet.
Vëllimi i tregtimit në tregun për ditën në vijim në katër bursat rajonale, ALPEX, MEMO, MEPX dhe SEEPEX, arriti në rreth 2.97 teravat-orë (TWh). Kjo përfaqëson rritje prej 10.2% krahasuar me tremujorin paraprak dhe 26.7% në raport me tremujorin e tretë të vitit 2025.
ALPEX, bursa e përbashkët e Kosovës dhe Shqipërisë, regjistroi rritjen më të madhe vjetore të vëllimit të tregtuar, me 46.2%. MEMO e Maqedonisë së Veriut u rrit 45.3%, MEPX e Malit të Zi 34.4%, ndërsa SEEPEX e Serbisë 14.9%.
Sipas Sekretariatit, vëllimi i tregtuar në bursat rajonale ishte i barabartë me rreth 23% të kërkesës në tregjet përkatëse, krahasuar me 19% në tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Megjithatë, të dhënat nuk tregojnë nëse kjo rritje vjen nga kalimi i tregtisë dypalëshe në bursa, pjesëmarrja e tregtarëve të rinj apo ndryshime të tjera në sjelljen e tregut.
CBAM rrit koston e eksporteve
Çmimi i certifikatave CBAM për tremujorin e tretë arriti në 82.32 euro për ton të emetimeve ekuivalente të CO₂, 9.4% më shumë se në tremujorin paraprak. Kjo rritje ka shtuar koston indikative të energjisë elektrike të importuar në BE nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas raportit, në të gjitha korridoret e vlerësuara ku vendet kanë faktor standard të emetimeve më të lartë se zero, kostoja indikative e CBAM-it për MWh ishte më e lartë se avantazhi mesatar i çmimit të energjisë në tregun e Ballkanit Perëndimor kundrejt tregut fqinj të BE-së, përcjell Energy Monitor.
Megjithatë, raporti tregon se kjo nuk i përcakton vetvetiu rrjedhat tregtare. Eksportet e planifikuara nga Mali i Zi drejt Italisë u rritën 79.8% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025, duke arritur në 984 GWh. Në drejtimin e kundërt u shkëmbyen vetëm 110 GWh, kështu që Mali i Zi pati eksport neto prej 874 GWh drejt Italisë.
Në anën tjetër, eksportet e planifikuara nga Serbia drejt Hungarisë ranë 21.6%, pavarësisht zgjerimit të diferencës së çmimeve. Kjo tregon se vendimet tregtare ndikohen edhe nga kapacitetet ndërkufitare, kontratat dhe kushtet në tregjet e tjera.
Mali i Zi ndryshon sistemin e çmimit të karbonit
Raporti veçon edhe reformën e Malit të Zi, i cili në korrik miratoi një sistem të ri të çmimit të karbonit, të lidhur me mesataren gjashtëmujore të çmimeve të ankandeve të sistemit evropian të tregtimit të emetimeve (EU ETS).
Të hyrat nga ky mekanizëm orientohen drejt Fondit Ekologjik të Malit të Zi për financimin e investimeve klimatike. Nëse plotësohen kërkesat e BE-së, çmimi i karbonit i paguar brenda vendit mund të njihet në llogaritjen e detyrimeve të CBAM-it, duke bërë që një pjesë e mjeteve të mbetet në ekonominë vendore në vend se të paguhet në kufirin e BE-së.
Sekretariati thekson se ndikimi i CBAM-it nuk mund të ndahet plotësisht nga faktorët e tjerë që kanë ndikuar në tregti gjatë këtij viti. Ndryshimet në prodhimin e energjisë, kërkesën në Itali, prodhimin më të ulët bërthamor në Rumani dhe kapacitetet e disponueshme të interkonektorëve kanë ndikuar gjithashtu në çmime dhe shkëmbime, transmeton Energy Monitor.
CBAM hyri në fazën përfundimtare të zbatimit më 1 janar 2026 dhe zbatohet edhe për energjinë elektrike të importuar në BE. Mekanizmi nuk është pjesë e legjislacionit të Komunitetit të Energjisë, por po ndikon në përpjekjet për integrimin e tregjeve të Ballkanit Perëndimor me tregun evropian.
Në të njëjtën ditë, Sekretariati publikoi edhe listën e verifikuesve të akredituar, të cilët mund të certifikojnë plotësimin e kushteve për përdorimin e vlerave reale të emetimeve në energjinë elektrike të importuar në BE.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për prodhuesit e energjisë së ripërtëritshme, të cilët synojnë të dëshmojnë emetimet reale dhe të lehtësojnë eksportin e energjisë pa karbon.



