Kosova ka nisur përgatitjet për Kornizën e ardhshme Financiare Shumëvjeçare të Bashkimit Evropian (MFF), e cila mbulon periudhën 2028–2034. Në këtë kuadër, sot u mbajt një takim koordinues me përfaqësues të BE-së dhe drejtorë të departamenteve përgjegjëse për procesin e integrimit evropian në institucionet e Qeverisë së Kosovës.
Diskutimet u përqendruan në përgatitjet për instrumentet e reja financiare të BE-së, përcaktimin e prioriteteve kombëtare dhe planifikimin e reformave e investimeve që do të financohen gjatë ciklit të ardhshëm buxhetor evropian.
Sipas njoftimit, një nga çështjet kryesore është forcimi i kapaciteteve institucionale për menaxhimin dhe zbatimin e fondeve të BE-së. Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026 ka evidentuar përparimin në planifikimin dhe monitorimin e mbështetjes financiare evropiane, por institucionet duhet të vazhdojnë përmirësimin e mekanizmave për shfrytëzimin e saj, përcjell Energy Monitor.
Përgatitjet e hershme dhe koordinimi ndërinstitucional synojnë që prioritetet zhvillimore të Kosovës të përputhen me reformat e kërkuara në procesin e anëtarësimit në BE dhe me mundësitë e financimit që do të ofrojë korniza e re.
Korniza Financiare Shumëvjeçare përcakton prioritetet dhe kufijtë e shpenzimeve të Bashkimit Evropian për një periudhë shtatëvjeçare, duke krijuar bazën për financimin e politikave, programeve dhe investimeve të unionit.



