Ekonomisti Florin Aliu ka vënë në pikëpyetje ndikimin e kostove operative në çmimet e produkteve në Kosovë, duke theksuar veçanërisht paradoksin që, ndonëse energjia elektrike, gazi, pagat dhe qiratë janë më të shtrenjta në shumë vende të Bashkimit Evropian, disa produkte në Kosovë shiten deri në 50 apo 60 për qind më shtrenjtë.
Duke folur në emisionin “Interaktiv” të Kohës, Aliu ka thënë se dallimi i madh i çmimeve nuk mund të shpjegohet vetëm me kostot e transportit dhe ka ngritur çështjen e konkurrueshmërisë në tregun vendor.
“Unë kam parë, jam dëshmitar i shumë produkteve që i kam konsumuar, ato produkte në Kosovë shiten me 50 për qind, nganjëherë edhe me 60 për qind më shumë. Si është e mundur kjo? Nuk mendoj se është kostoja e transportit sepse ti një herë e transporton. Në BE pagat janë më të larta, qiraja është më e lartë, energjia elektrike është më e shtrenjtë, gazi është më i shtrenjtë, taksat janë më të larta. Atëherë si është e mundur që ne kemi çmime më të larta?”, ka deklaruar Aliu.
Ekonomisti ka vlerësuar se inflacioni në Kosovë po vazhdon të përshpejtohet, ndonëse në shumicën e vendeve të Eurozonës presionet inflacioniste janë stabilizuar. Sipas tij, kjo kërkon një analizë më të thellë të faktorëve që ndikojnë në formimin e çmimeve në tregun vendor, përcjell Energy Monitor.
Ai ka kundërshtuar edhe shpjegimin se rritja e transfereve sociale dhe shtesave qeveritare është ndër faktorët kryesorë që kanë nxitur inflacionin. Sipas Aliut, ky argument nuk përputhet me gjendjen e qarkullimit monetar dhe aktivitetin e bizneseve në Kosovë.
Në këtë kontekst, ai ka përmendur edhe përdorimin e euros, ndonëse Kosova nuk është pjesë e Eurozonës, si dhe rastet kur bizneset punojnë me kompensime, të cilat, sipas tij, tregojnë mungesë të parasë në qarkullim.
Një nga faktorët që Aliu e ka veçuar është niveli i konkurrueshmërisë në treg. Ai ka theksuar se numri i operatorëve ekonomikë nuk mjafton për ta cilësuar një treg si konkurrues, nëse disa prej tyre kanë fuqi të ndikojnë në çmimet e produkteve.
“Tregu i lirë nuk determinohet me numrin e operatorëve në treg. Tregu i lirë nënkupton raportin e operatorëve me çmimin. Nëse ti ke fuqi mbi tregun, ai nuk është treg i lirë më”, ka deklaruar ai.
Deklaratat e ekonomistit vënë në pah edhe rëndësinë e kostos së energjisë për ekonominë dhe bizneset, por Aliu nuk ka dhënë një vlerësim të veçantë për pjesën që energjia zë në rritjen e çmimeve të produkteve. Argumenti i tij është se, nëse kostot operative në vendet e BE-së janë më të larta, atëherë diferenca e çmimeve në Kosovë kërkon shpjegim përtej këtyre kostove.



