Një ndërprerje e energjisë elektrike ka ndodhur të mërkurën mbrëma gjatë mbajtjes së një testi me studentët e nivelit master në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Deputetja e LDK-së dhe profesoresha në këtë fakultet, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se rryma është ndërprerë rreth orës 17:10, derisa studentët po zhvillonin testin.
Sipas saj, studentët gjetën një mënyrë alternative për të vazhduar provimin, duke përdorur telefonat mobilë si burim ndriçimi.
Bajrami ka treguar se paraprakisht ua kishte marrë studentëve telefonat, ndërsa pas disa minutash pritjeje, ata propozuan që telefonat t’u shpërndaheshin në mënyrë të rastësishme, në mënyrë që secili të përdorte telefonin e një studenti tjetër vetëm për ndriçim, pa e zhbllokuar atë.
Ajo publikoi edhe një fotografi nga salla e provimit, duke ironizuar me gjendjen e furnizimit me energji elektrike në vend.
“Jo, fotografia nuk është e pasluftës. Është bërë para një ore, më 18 nëntor 2026, në ‘Kosovën e progresit të paparë’!”, ka shkruar Bajrami.
Deputetja e LDK-së e shfrytëzoi rastin për të kritikuar politikat energjetike të Qeverisë, duke kërkuar që të paraqitet urgjentisht në Kuvend një plan konkret për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese.
Sipas saj, rritja e prodhimit vendor është e domosdoshme për të zvogëluar ekspozimin ndaj krizave energjetike dhe për të shmangur ndërprerjet e furnizimit dhe rritjen e barrës së faturave për konsumatorët.
“Vetëm prodhimi vendor na shpëton nga kriza. Pas gati gjashtë vjetësh të humbura, nëse nuk veprojmë tash, as qytetarët e as Qeveria shumë shpejt nuk do të mund t’i përballojnë faturat e rrymës e reduktimet do të na bëhen përditshmëri”, ka deklaruar Bajrami.



