Task-forca e formuar nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) pas vdekjes së katër punëtorëve brenda gjashtë muajve nuk ka dëshmuar rezultate konkrete në përmirësimin e sigurisë në vendet e punës, sipas nënkryetarit të Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica.
Në një deklaratë për “Betimi për Drejtësi”, Llumnica tha se sindikata nuk është njoftuar për veprime aktive apo masa të dokumentuara që do të dëshmonin ndryshime konkrete në terren.
Ai pranoi se pas rasteve të vdekjeve ka pasur disa zhvillime, përfshirë shpalljen e konkurseve për ekspertë të sigurisë në njësitë ku kishte mungesa, mobilizim më të madh të ekspertëve dhe vëmendje të shtuar ndaj pajisjeve mbrojtëse. Megjithatë, këto masa i cilësoi si të pjesshme.
Katër punëtorë të KEK-ut humbën jetën gjatë periudhës shkurt-gusht 2026. Më 27 shkurt, punëtori me inicialet M.S. vdiq në hapësirat e Termocentralit “Kosova B”. M.B. ndërroi jetë më 15 korrik në QKUK, pas lëndimeve të marra më 8 korrik në Fabrikën e Pajimeve Xehtare në Palaj. Më 16 gusht, tekniku i xehtarisë H.G. vdiq pranë një ekskavatori, ndërsa katër ditë më vonë A.A. humbi jetën pas kontaktit me tensionin elektrik.
Pas rastit të fundit, Bordi i Drejtorëve dhe menaxhmenti i KEK-ut mbajtën një takim të jashtëzakonshëm dhe vendosën të formojnë task-forcën për sigurinë industriale dhe shëndetin në punë.
Sindikata kërkon institucion të pavarur
Llumnica tha se sindikata kishte paralajmëruar për rrezikun në vendet e punës edhe para dy vdekjeve të gushtit. Sipas tij, më 31 korrik 2026, kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, së bashku me kryesinë, kishte ngritur publikisht shqetësimet për kushtet e vështira dhe rrezikun me të cilin përballen punëtorët.
Sindikata kërkon që ekspertët e sigurisë dhe shëndetit në punë të mos varen drejtpërdrejt nga punëdhënësi që duhet ta kontrollojnë. Llumnica vlerëson se varësia e pagës dhe e vendit të punës nga korporata mund të krijojë presion dhe ta vështirësojë raportimin e lirë të rreziqeve.
Për këtë arsye, ai propozon krijimin me ligj të një institucioni të pavarur për sigurinë dhe shëndetin në punë, me fond të veçantë për pagat dhe funksionimin e ekspertëve.
Por eksperti për sigurinë dhe shëndetin në punë, Naim Bajraktari, kundërshton këtë propozim. Sipas tij, një model i tillë nuk do ta përmirësonte raportimin e rreziqeve, por do të krijonte paqartësi juridike dhe funksionale lidhur me përgjegjësinë e punëdhënësit për sigurinë në vendin e punës.
Prokuroria ka ngritur një aktakuzë
Sa u përket hetimeve për vdekjet, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se për rastin e M.S. është ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet S.Sh.
Për vdekjen e punëtorit nga kontakti me tensionin elektrik është kërkuar ekspertizë, ndërsa për rastet e M.B. dhe H.G. Prokuroria nuk ka dhënë informacion.
Ndërkohë, KEK-u nuk iu përgjigj pyetjeve të “Betimit për Drejtësi” lidhur me vlerësimin e rrezikut, gjetjet e task-forcës dhe përgjegjësinë për këto raste deri në publikimin e hulumtimit.



