Home / Lajme / Mjedisi / IUCN i kërkon Shqipërisë të amendojë ligjin që cenon zonat e mbrojtura

IUCN i kërkon Shqipërisë të amendojë ligjin që cenon zonat e mbrojtura

Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) ka miratuar me shumicë dërrmuese Mocionin 130, “Forcimi i kufizimeve kundër infrastrukturës së paqëndrueshme të turizmit”. Më shumë se 98 për qind e anëtarëve e mbështetën nismën, duke dërguar një mesazh të qartë global: zonat e mbrojtura ekzistojnë për ruajtje, jo për zhvillim masiv.

Një nga vendimet kryesore të Kongresit të IUCN është thirrja drejtuar qeverisë shqiptare për të ndryshuar Ligjin Nr. 21/2024, i cili lejon ndërtimin e aeroporteve, resorteve dhe projekteve të tjera të mëdha infrastrukturore në zonat e Kategorisë I dhe II të IUCN. Ky ligj, i prezantuar nga qeveria si “i përputhshëm me kriteret ndërkombëtare”, është kritikuar se bie ndesh me standardet e ruajtjes së natyrës dhe krijon precedent të rrezikshëm për biodiversitetin, klimën dhe procesin e integrimit evropian.

Në qendër të debatit është Peizazhi i Mbrojtur Vjosë–Nartë, një nga habitatet më të rëndësishme për shpendët shtegtarë në Mesdhe. Zona, që strehoi për dekada mbi 200 lloje shpendësh, përfshirë pelikanin kaçurrel dhe flamingot, tani përballet me ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës dhe një kompleksi turistik gjigant me 10 mijë dhoma.

IUCN e cilëson këtë rast si pjesë e një problemi më të gjerë global, pasi shumë shtete po shfrytëzojnë boshllëqet ligjore për të hapur zonat e mbrojtura ndaj turizmit masiv. Mocioni 130 kërkon harmonizim të ligjeve kombëtare me udhëzimet ndërkombëtare, respektimin e kategorive të rrepta të mbrojtjes dhe vlerësime rigoroze të ndikimit mjedisor e social për çdo projekt të propozuar.

Qendra PPNEA në Shqipëri thekson se miratimi i mocionit është një arritje historike, por puna nuk ka përfunduar. “Shqipëria mund të vazhdojë të shtyjë projekte shkatërruese në parqet kombëtare, duke shpërfillur kërkesat e anëtarësimit në BE dhe qëndrimin global të IUCN. Vigjilenca e vazhdueshme mbetet thelbësore,” thekson organizata.

Mesazhi që vjen nga Gjeneva është i qartë: turizmi nuk mund të shërbejë si justifikim për shkatërrimin e natyrës.