Home / Highlights / KEK ndal A5 për shkak të rrjedhjeve të ujit, vazhdon prodhimi në 4 njësi

KEK ndal A5 për shkak të rrjedhjeve të ujit, vazhdon prodhimi në 4 njësi

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se Njësia A5 është ndalur nga operimi mbrëmjen e së hënës, rreth orës 20:25, për shkak të një rrjedhjeje të ujit të evidentuar në ekranet e sistemit gypor, në kuotën 10–15 metra.

Sipas njoftimit zyrtar, ndalja e njësisë është realizuar në përputhje të plotë me standardet teknike dhe operative të sigurisë, me qëllim të parandalimit të ndonjë defekti potencial me përmasa më të mëdha dhe për të mundësuar kryerjen e sanimeve të nevojshme teknike.

KEK bën të ditur se aktualisht po vazhdon operimi sipas planit dhe Bilancit të Energjisë Elektrike, me katër njësi prodhuese në funksion: A3, A4, B1 dhe B2.

KEK sqaron se në kushte të zakonshme operimi korporata funksionon me katër njësi prodhuese, ndërsa gjatë periudhave me temperatura të ulëta është bërë angazhim maksimal për vënien në operim edhe të njësisë së pestë. Si rezultat i këtij angazhimi, KEK ka arritur që për një periudhë të caktuar të operojë edhe me pesë njësi prodhuese njëkohësisht.

Korporata Energjetike e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar ndaj operimit të sigurt, stabil dhe efikas të kapaciteteve prodhuese, duke zbatuar masa të rregullta parandaluese dhe mirëmbajtëse, me qëllim të garantimit të stabilitetit të sistemit elektroenergjetik të vendit.

/Kosovapress