Home / Highlights / A5 rikthehet në prodhim, pas pak orësh bie B1

A5 rikthehet në prodhim, pas pak orësh bie B1

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton se dje dy zhvillime kryesore kanë prekur kapacitetet e prodhimit të energjisë elektrike: njësia A5 e Termocentralit Kosova A është rikthyer në operim, ndërsa njësia B1 e Termocentralit Kosova B është shkyçur për kontroll teknik.

Sipas njoftimit të KEK-ut, rikthimi i njësisë A5 u realizua pas sanimit të rrjedhjeve të evidentuara më parë dhe pas përmbushjes së të gjitha kushteve teknike dhe të sigurisë, duke siguruar funksionimin normal të njësisë. Korporata vlerësoi punën e stafit teknik dhe angazhimin e punonjësve për adresimin e situatës.

Megjithatë, gjatë ditës, në njësinë B1 të Termocentralit Kosova B janë identifikuar rrjedhje të konsiderueshme avulli në sistemin e gypave brenda kaldajës.

Pas vlerësimit teknik, KEK ka vendosur të shkyçë njësinë para orës 18:00 si masë parandaluese, për të shmangur dëmtime të mundshme dhe për të ruajtur integritetin e njësisë. Furnizimi me energji elektrike mbetet i siguruar, ndërsa opinioni publik do të njoftohet për rikthimin e njësisë B1 në operim pas përfundimit të kontrolleve teknike.