Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (SRKEK) ka njoftuar për zgjedhjen e kryetarit të ri. Në Kuvendin e Sindikatës, me vota unanime të delegatëve, Xhelal Jashari u zgjodh Kryetar, në përputhje me Statutin e Sindikatës dhe parimin e rotacionit ndër divizione.
Jashari vjen nga Divizioni i Prodhimit të Qymyrit (DPQ) dhe ka një përvojë të gjatë profesionale në sektorin energjetik. Ai ka qenë gjithashtu njëri nga themeluesit e Sindikatës së Re dhe ka shërbyer më parë si Kryetar i Shoqatës Sindikale në DPQ, përcjell Energy Monitor.
Biografia e tij përfshin aktivitet të hershëm në lëvizjet për liri dhe pjesëmarrje në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si dhe studime në Fakultetin Teknik të Gjeoshkencave në Mitrovicë në drejtimin e xehetarisë. Aktualisht, ai udhëheq sektorin e xehetarisë në DPQ.
Sindikatës së Re i urojmë punë të mbarë dhe sukses në realizimin e kërkesave dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.
Biografia e Kryetarit të ri
Xhelal Jashari ka lindur në fshatin Vinarc, Komuna e Mitrovicës. Arsimin fillor e përfundoi në vendlindje, ndërsa arsimin e mesëm në drejtimin teknik të xehetarisë në Fushë Kosovë dhe Obiliq. Studimet universitare dhe magjistraturën i ka kryer në Fakultetin Teknik të Gjeoshkencave në Mitrovicë, në drejtimin e xehetarisë.
Gjatë viteve 1987–1998 ka qenë aktiv në lëvizjet për liri, demokraci dhe pavarësi të Kosovës. Në fillim të vitit 1998 iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ku kontribuoi në furnizimin me armatim dhe mori pjesë në beteja deri në përfundimin e luftës në vitin 1999.
Pas luftës, angazhimin profesional e vazhdoi në sektorin energjetik, duke punuar në KEK dhe aktualisht duke ushtruar funksionin e udhëheqësit të sektorit të xehetarisë në Divizionin për Prodhimin e Qymyrit (DPQ).
Në aspektin sindikal, Xhelal Jashari është njëri nga themeluesit e Sindikatës së Re dhe ka shërbyer më parë si Kryetar i Shoqatës Sindikale në DPQ, duke u dalluar për angazhim të vazhdueshëm në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të punëtorëve.
Sindikatës së Re të KEK-ut i urojmë punë të mbarë, unitet dhe suksese në realizimin e kërkesave dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.



