Fondi prej 76,4 milionë eurosh për instalimin e elektrofiltrave në Kosovën B ishte siguruar tërësisht nga BE-ja qysh në vitin 2019. Saktësisht, kontrata për implementimin e projektit për ndërrimin e elektrofiltrave ndërmjet KEK-ut dhe përfaqësuesve të BE-së është nënshkruar më 2 dhjetor të vitit 2019. Të gjitha punët dhe mbikëqyrjen e punëve rreth instalimit të elektrofiltrave në Kosovën B, është paraparë t’i bëjë BE-ja me ekipe të veta të specializuara. Ky është, pra, projekt i BE-së, ndërsa KEK-u është vetëm përfitues, kanë sqaruar zyrtarët e KEK-ut. Kronologjia e shtyrjes së afateve rreth nisjes së vendosjes së elektrofiltrave në TC Kosova B…
Më në fund, bazuar në njoftimet zyrtare të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) të bëra në fillim të kësaj jave, ka filluar instalimi i elektrofiltrave dhe sistemit DeNOx në termocentralet Kosova B, që është një projekt ndër më të rëndësishmit me vite të tëra në KEK dhe i shumëpritur nga punonjësit e sistemit elektroenergjetik të vendit, nga qytetarët gjithandej Kosovës dhe sidomos nga banorët që shtëpitë e tyre i kanë shumë pranë kompleksit elektroenergjetik Kosova B.
Projekti i vendosjes së elektrofiltrave, siç është njoftuar nga KEK-u, së pari do të bëhet në bllokun B1, njësi kjo që nga fillimi i javës i është nënshtruar projekteve madhore të modernizimit, përfshirë instalimin e elektrofiltrit dhe sistemit DeNOx, të cilat kanë filluar praktikisht në fillim të këtij muaji dhe pritet të përfundojnë në fillim të muajit dhjetor të këtij viti.
Projekti i modernizimit të bllokut B1 dhe ai i vendosjes së elektrofiltrit po në këtë bllok, janë projekte të ndara, por është paraparë e arsyeshme që punët në të dy projektet të zhvillohen njëkohësisht për arsyen e thjeshtë që të mos ndalet blloku nga prodhimi dy herë nga disa muaj.
Edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, në fund të nëntorit të vitit të kaluar, kishte njoftuar se punimet për instalimin e filtrave të rinj në Termocentralin “Kosova B” do të fillojnë në prill të vitit 2026, pasi, siç u tha në njoftimin e BE-së, më në fund janë përmbushur të gjitha kushtet teknike dhe ligjore për realizimin e projektit.
Sipas njoftimeve të BE-së dhe të ekspertëve të KEK-ut, projekti, i financuar nga BE-ja (BE-ja për këtë projekt ka zotuar diku mbi 76 milionë euro), synon uljen e konsiderueshme të emetimeve të pluhurit dhe oksideve të azotit (NOx), duke kontribuar drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së ajrit në Kosovë dhe rajon.
Investimi konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës energjetike dhe mbrojtjes së mjedisit, ndërsa Bashkimi Evropian vazhdon të theksojë se mbetet partneri kryesor i Kosovës, me 3.7 miliardë euro investime që nga viti 1999.
“Ky investim i madh do të zvogëlojë ndjeshëm emetimet dhe do të përmirësojë cilësinë e ajrit në të gjithë Kosovën dhe rajonin”, thuhej në fund të nëntorit 2025 në njoftim, duke riafirmuar angazhimin e BE-së si ofruesi më i madh i ndihmës financiare për vendin.
Shpresohej nga autoritetet e KEK-ut, por edhe nga qytetarët, që nga viti 2019, kur është iniciuar dhe përfolur pa reshtur për vendosjen e elektrofiltrave në termocentralet Kosova B, por ndodhën shtyrje të panumërta që nga 2019-ta, të zbatimit të këtij projekti aq të rëndësishëm për ta zbutur në masë të madhe ndotjen në kryeqytet dhe në vendbanimet nën termocentrale dhe përreth Obiliqit.
Më saktësisht, që nga 2019-ta, pati katër-pesë herë prolongim të nisjes së punëve për të vendosur elektrofiltrat. Ndërsa njohësit e zhvillimeve në energjetikën e Kosovës ishin të bindur se “sanksionet ndëshkuese të BE-së kundrejt Kosovës, në dy-tre vjetët e fundit, janë shkaku për shtyrjen pafundësisht të nisjes së realizimit të këtij projekti”.
Sidoqoftë, me rastin e nisjes së instalimit të elektrofiltrave në bllokun B1 të termocentraleve Kosova B, po e rikujtojmë kronologjinë e shtyrjes së afateve të nisjes së zbatimit të këtij projekti.
Problemi i ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës nga oxhaqet e termocentraleve të Kosovës (edhe nga Kosova B edhe nga Kosova A), dihet, ekziston që moti, herë më i madh, herë më i vogël dhe pasojat e kësaj ndotjeje janë evidente te shëndeti i popullsisë së fshatrave nën dhe përreth termocentraleve.
Dihet tashmë edhe për sëmundjet kronike të shumë banorëve të fituara nga ndotja, por edhe rastet jo të pakta të kancerit ndër banorët e këtyre vendbanimeve.
Dihet, po kështu, nga evidentimet e sakta të zyrtarëve të KEK-ut, që nuk duan t’u përmendet emri në media, për zvarritjen pafundësisht të vendosjes së elektrofiltrave të rinj në Kosova B, projekt i iniciuar që nga viti 2019, për çka BE-ja kishte dedikuar diku mbi 76 milionë euro.
Mirëpo, që nga 2019-ta, pa ndonjë shpjegim të besueshëm dhe të saktë, pati katër-pesë herë prolongim të nisjes së punëve për të vendosur elektrofiltrat.
Nga autoritetet e KEK-ut thuajse për çdo vit, që nga 2019-ta, shpresohej që më në fund do të niste realizimi i këtij projekti, aq të rëndësishëm për ta zbutur në masë të madhe ndotjen në kryeqytet dhe në vendbanimet nën termocentrale dhe përreth Obiliqit.
Autoritete kompetente të KEK-ut, që duan të mbesin anonimë, i kanë thënë jo një herë Buletinit Ekonomik se KEK-u kaherë ishte fare i gatshëm që të niste ky projekt.
Me kohë KEK-u, sipas tyre, i ka përmbushur të gjitha kërkesat (gjithsesi, nuk ishin pak) e shtruara disa herë deri më tash nga BE-ja si autore e financimit të projektit, por gjithnjë thuajse në secilin vit që nga 2019-ta, është gjetur një shkak apo arsye për ta zvarritur nisjen e projektit “për vitin tjetër”.
Tani, por edhe në dy-tre vjetët e fundit (2023 dhe 2024 dhe 2025), sipas inxhinierëve që në një mënyrë apo tjetër janë të ndërlidhur me punët përgatitore të implementimit të këtij projekti, sado që asnjëherë nuk është thënë konkretisht, kanë qenë masat ndëshkuese politike të BE-së kundrejt Kosovës, që ndikuan në shtyrjen e nisjes së punëve për vendosjen e filtrave në termocentralet Kosova B.
Gjithmonë është gjendur ndonjë arsye e shtyrjes së këtij projekti tepër të rëndësishëm edhe për ruajtjen e ambientit nga ndotja e tymtarëve të termocentralit të vjetëruar Kosova B, edhe për zgjatjen e jetës së këtij termocentrali.
Kronologjikisht, pak a shumë kështu janë shtyrë punët rreth nisjes së vendosjes së elektrofiltrave në TC Kosova B:
Fillimisht ka qenë e planifikuar që të nisë puna më 2020, por është shtyrë për 2021 për shkak të COVID-19.
Dhe sërish është shtyrë për shkak të pandemisë për ta riplanifikuar nisjen e punëve më 1 shkurt 2022.
Pasi punimet ishin planifikuar të fillonin në shkurt të vitit 2022, ato ishin shtyrë për të filluar në vitin 2023.
Pastaj, nisja e këtyre punëve, të planifikuara të bëhen në vitin 2023, është shtyrë për vitin 2024.
Por, edhe më 2024 u bë shtyrje e sërishme, duke e paraparë 20 prillin e 2025-tës si vit të nisjes së domosdoshme të realizimit të projektit, dhe prapë nuk ndodhi nisja e punëve për vendosjen e elektrofiltrave të shumëpritur.
Fondi prej 76,4 milionë eurosh, mjete të nevojshme për finalizimin e këtij projekti rivitalizues në Kosovën B, siç i kanë thënë Buletinit Ekonomik zyrtarë të KEK-ut, ishte siguruar nga BE-ja dhe nga KEK-u.
Projekti për ndërrimin e elektrofiltrave në “Kosovën B” më 2025 është shtyrë me kërkesë të BE-së, me arsyetimin se janë paraqitur ca probleme të paparashikuara me kontraktuesit.
Ndërsa, në KEK, i kanë thënë Buletinit Ekonomik se ata, siç u është kërkuar, që në vitin 2024, i kanë kryer të gjitha punët e kërkuara rreth projektit.
Janë përmbyllur intervenimet shtesë për riparimin (dilatimet) e kazanëve, që nuk ishin paraparë fillimisht dhe që më pastaj doli të jetë parakusht i domosdoshëm për t’u plotësuar për të filluar implementimi i projektit të vendosjes së elektrofiltrave në Kosova B.
Realizimi i projektit të vendosjes së elektrofiltrave të rinj është i ndërlikuar dhe kompleks, prandaj edhe kërkon një kohë relativisht të gjatë për ta bërë këtë punë.
Vlerësohet nga inxhinierët e këtushëm se për ta bërë vendosjen e elektrofiltrit në njërin bllok të Kosovës B, nevojitet kohë 6 deri në 9 muaj.
Për këtë shkak, është paraparë që brenda një viti të bëhet ndërrimi i filtrave në njërin bllok, dhe në vitin vijues, në bllokun tjetër.
E gjithë kjo me qëllim që të mos ndihet në përmasa të mëdha mungesa e energjisë elektrike, për shkakun e ndërprerjes së punës së njërës njësi të Kosovës B, përderisa të zgjasë ndërrimi i filtrave.
Me instalimin e filtrave fare të rinj, teknologji më moderne dhe fjalë e fundit e teknikës, do të bëhej reduktimi i tërësishëm i pluhurit në minimum, por edhe do t’i zgjatej jeta këtij termocentrali tashmë i vlerësuar si goxha i vjetër dhe relativisht i amortizuar.
Fondi prej 76,4 milionë eurosh, mjete të nevojshme për kryerjen e këtij projekti kompleks rivitalizues në Kosovën B ishte siguruar tërësisht nga BE-ja qysh në vitin 2019.
Më saktësisht, kontrata për implementimin e projektit për ndërrimin e elektrofiltrave ndërmjet KEK-ut dhe përfaqësuesve të BE-së është nënshkruar më 2 dhjetor të vitit 2019.
Me këtë kontratë ishte paraparë që ky projekt unik për të dy njësitë e Kosovës B (B1 dhe B2) të financohet nga Bashkimi Evropian nëpërmjet fondeve IPA.
Të gjitha punët dhe mbikëqyrjen e punëve rreth instalimit të elektrofiltrave në Kosova B, është paraparë t’i bëjë BE-ja me ekipe të veta të specializuara.
Ky është, pra, projekt i BE-së, ndërsa KEK-u është vetëm përfitues, kanë sqaruar zyrtarët e KEK-ut.
Sidoqoftë, derisa të instalohen elektrofiltrat e planifikuar në të dy njësitë e termocentraleve Kosova B, s’do mend se do të ketë probleme serioze me ndotjen e ambientit dhe për pasojë edhe me rrezikimin e vazhdueshëm të shëndetit të popullatës rreth e qark kompleksit elektroenergjetik të vendit. /Buletini Ekonomik



