Home / Lajme / Mjedisi / Kosova forcon bashkëpunimin me UN-Habitat për zhvillim të qëndrueshëm dhe diplomaci klimatike

Kosova forcon bashkëpunimin me UN-Habitat për zhvillim të qëndrueshëm dhe diplomaci klimatike

Ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se Kosova po thellon bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe diplomacisë klimatike.

Ajo njoftoi se në margjinat e Takimeve Përgatitore Ministrore për COP31 ka zhvilluar një takim me Drejtoreshën Ekzekutive të UN-Habitat dhe Nën-sekretaren e Përgjithshme të OKB-së, Anacláudia Rossbach.

Sipas Pacollit, në takim është rikonfirmuar bashkëpunimi i gjatë ndërmjet UN-Habitat dhe institucioneve të Kosovës, me fokus në çështjet e banimit, zhvillimit të qëndrueshëm urban, veprimit klimatik dhe rritjes së qëndrueshmërisë së komuniteteve, transmeton Energy Monitor.

Ajo theksoi se një qasje më e orientuar drejt veprimit është e domosdoshme për të adresuar sfidat aktuale në sektorin e mjedisit dhe urbanizimit.

Pacolli vlerësoi gjithashtu se takimi me një përfaqësuese të lartë të OKB-së e rrit dukshmërinë ndërkombëtare të Kosovës dhe e forcon pozicionin e saj në proceset globale të klimës dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Sipas saj, diplomacia klimatike po shndërrohet në një instrument të rëndësishëm për avancimin e agjendës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com