Me një investim prej rreth 886 mijë eurosh, të financuar nga Qeveria e Kosovës përmes Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), janë realizuar masa të efiçiencës së energjisë në tri shkolla të komunës së Shtimes, duke përmirësuar kushtet për më shumë se 1,700 nxënës dhe anëtarë të stafit.
Të premten u përuruan investimet në Shkollën Profesionale dhe në SHFMU “Hasan Prishtina” në fshatin Godanc, në praninë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, drejtoreshës menaxhuese të Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Njomza Hoxha, si dhe kryetarit të Shtimes, Qemajl Aliu.
Kryeministri Kurti tha se investimet në efiçiencë të energjisë kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e mësimit dhe mirëqenien e nxënësve.
“Klasa më të ngrohta në dimër, ndriçim më i mirë, ajër më i pastër, më pak humbje dhe më shumë përqendrim për nxënësit dhe mësimdhënësit. Kjo është politika publike kur shihet nga afër në klasë, bibliotekë dhe laborator”, u shpreh ai, transmeton Energy Monitor.
Sipas Qeverisë, deri më tani janë rinovuar mbi 120 ndërtesa publike në të gjithë vendin, kryesisht shkolla dhe objekte shëndetësore, në kuadër të programit për rritjen e efiçiencës së energjisë.
Përveç përmirësimit të komoditetit, investimet në Shtime pritet të ulin konsumin e energjisë, kostot operative dhe emetimet e gazrave serrë.
Auditimi energjetik dhe projektimi teknik i këtyre ndërhyrjeve janë financuar nga Banka Botërore.



