Home / Lajme / Kosova / KESCO: Në periudhën 1 prill – 14 maj janë importuar 18,8 milionë euro energji elektrike

KESCO: Në periudhën 1 prill – 14 maj janë importuar 18,8 milionë euro energji elektrike

Zyrtarë të informimit në KESCO kanë saktësuar për Buletinin Ekonomik se, në periudhën nga 1 prilli deri më 14 maj 2026, për nevojat e konsumit të Kosovës janë importuar mbi 18,8 milionë euro energji elektrike. Ndërsa, siç ka njoftuar Margarita Rashiti, zëdhënëse e KESCO-s, konsumi mesatar ditor në këtë periudhë ka qenë 13.809,3 megavat/orë.

Sistemi elektroenergjetik i Kosovës, qëkur janë tërhequr nga prodhimi dy njësitë e termocentraleve Kosova B (në fund të prillit), të cilat bashkërisht kanë prodhuar lehtësisht 520-550 megavat/orë energji elektrike, po përballet me mungesë të madhe të rrymës së prodhuar nga kapacitetet vetanake.

Aktualisht janë vetëm dy blloqe të termocentraleve Kosova A të angazhuara në procesin e prodhimit. Blloku A4 dhe A5, secili me kapacitet rreth 125-130 megavat/orë, nuk prodhojnë as për së afërmi sasinë e nevojshme të energjisë elektrike për konsumin e vendit, që edhe këtyre ditëve të stinës së pranverës nuk bie nën 650-700 megavat/orë, ose rreth 2 herë e gjysmë më shumë se prodhimi nga kapacitetet prodhuese që janë në operim (blloku A4 dhe A5 bashkërisht prodhojnë diku 250-260 megavat/orë).

Dihet se një sasi fare e vogël e rrymës, prej dhjetëra megavatësh, sigurohet edhe nga kapacitetet prodhuese të energjisë së rinovueshme (nga parku i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës me kapacitet 105 megavatësh dhe nga ai në Kitkë të Kamenicës me kapacitet 45 megavatë, si dhe eventualisht nga hidrocentralet e vogla me fuqi minimale që gjenden në prodhim).

Prodhimi i energjisë nga kapacitetet ekzistuese të energjisë së rinovueshme në Kosovë varet shumë nga kushtet meteorologjike, përkatësisht nga fuqia e erës, dhe ndodh që për orë të tëra prodhimi të jetë fare simbolik. Në këtë mënyrë, edhe ndikimi i tyre në zbutjen e mungesës së energjisë elektrike aktualisht është, në shumë raste, fare simbolik.

Burime të KEK-ut kanë thënë për Buletinin Ekonomik se një sasi e konsiderueshme e energjisë që i mungon konsumit të vendit këto ditë është kompensuar nga energjia e huazuar nga Korporata Energjetike e Shqipërisë, si këmbim. Por, në orë të caktuara, është shtruar domosdoshmërisht nevoja për të importuar sasi plotësuese të energjisë elektrike.

Zyrtarë të informimit në KESCO kanë saktësuar për Buletinin Ekonomik se, në periudhën nga 1 prilli deri më 14 maj 2026, për nevojat e konsumit të Kosovës janë importuar mbi 18,8 milionë euro energji elektrike.

Ndërsa, siç ka njoftuar Margarita Rashiti, zëdhënëse e KESCO-s, konsumi mesatar ditor në këtë periudhë ka qenë 13.809,3 megavat/orë. Ndërkaq, qëkur të dy blloqet e Kosovës B janë në rehabilitim më të detajuar teknik, vetëm afërsisht gjysma e energjisë së dedikuar konsumit të vendit është prodhuar nga kapacitetet prodhuese të vendit.

Shifrat e kumtuara nga zyrtarë të KESCO-s për mjetet financiare të shpenzuara për importin e energjisë elektrike në periudhën 1 prill – 14 maj flasin për sasi të konsiderueshme të energjisë që i mungon konsumit të vendit.

Kjo mungesë e rrymës këto ditë po kompensohet nga energjia e huazuar nga Korporata Energjetike e Shqipërisë, si këmbim, nga importi i domosdoshëm dhe, duhet thënë, edhe nga reduktimet me orë të tëra në shumë rajone të Kosovës, madje edhe në kryeqytet.

Gjatë ditëve të kësaj jave, në shumë lagje të Prishtinës nuk ka pasur energji elektrike për 4 e më shumë orë, ndërsa për asnjë moment nga KESCO nuk janë dhënë arsyet e këtyre ndalesave. Njohësit e situatës elektroenergjetike të vendit pohojnë se në këto raste bëhet fjalë për reduktime të pastra. Këto reduktime bëhen në lagje të tëra, në orë të caktuara, për të kursyer sadopak importin e energjisë elektrike.

Nga qendra të tjera komunale të vendit, dhe sidomos nga zona të ndryshme rurale, vazhdojnë të dëgjohen ankesa për mungesë të energjisë elektrike me orë të tëra. Nuk ka njoftime zyrtare për këto ndërprerje të rrymës. /Buletini Ekonomik

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com