Home / Lajme / Mjedisi / OKB: Lufta me Iranin po e përshpejton tranzicionin global drejt energjisë së pastër

OKB: Lufta me Iranin po e përshpejton tranzicionin global drejt energjisë së pastër

Lufta në Lindjen e Mesme dhe pasiguritë në tregjet globale të naftës dhe gazit po e përshpejtojnë tranzicionin drejt energjisë së pastër, ka deklaruar sekretari ekzekutiv i Konventës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike, Simon Stiell.

Sipas një raportimi të Reuters, Stiell tha se konflikti me Iranin po “super-ngarkon” kalimin global drejt burimeve të ripërtëritshme të energjisë, pasi shumë vende po kërkojnë të zvogëlojnë varësinë nga tregjet e paqëndrueshme të naftës dhe gazit.

Rritja e çmimeve të energjisë dhe ndërprerjet në furnizim kanë shtyrë qeveritë të përshpejtojnë investimet në energji diellore, automjete elektrike dhe sisteme të ruajtjes së energjisë. Sipas raportit, në Evropë është rritur kërkesa për sisteme solare në çati, ndërsa vende si Pakistani kanë shënuar rritje të shitjeve të veturave elektrike, përcjell Energy Monitor.

Stiell theksoi se energjia e ripërtëritshme ofron më shumë siguri dhe stabilitet krahasuar me karburantet fosile, të cilat mbeten të ekspozuara ndaj krizave gjeopolitike dhe luhatjeve të tregut.

Megjithatë, raporti vëren se disa shtete, për shkak të mungesës së gazit, po rikthehen përkohësisht edhe te qymyri dhe derivatet e tjera fosile për të mbuluar nevojat energjetike.

Diskutimet për sigurinë energjetike dhe tranzicionin e gjelbër po dominojnë gjithnjë e më shumë agjendën ndërkombëtare, ndërsa rreth 60 vende u mblodhën së fundmi në Kolumbi për të diskutuar hapat konkretë për largimin gradual nga karburantet fosile.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com