Mimoza Kusari-Lila, ministre në detyrë e Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë Federale për Ekonomi, Energji dhe Turizëm të Austrisë, Dr. Severin Gruber, në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik të Vjenës.
Në këtë takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, me fokus të veçantë në Agjendën e Rritjes së Bashkimit Evropian dhe mundësitë që ajo ofron për reforma dhe investime në vend.
Palët trajtuan një gamë të gjerë fushash bashkëpunimi, përfshirë zhvillimin ekonomik, energjinë, digjitalizimin dhe infrastrukturën. Një vëmendje e veçantë iu kushtua sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT), shërbimeve digjitale dhe inovacionit, të cilat u vlerësuan si fusha me potencial të lartë për eksport dhe partneritet me kompani austriake.
Në diskutime u përmendën gjithashtu mundësitë për zhvillimin e parqeve industriale dhe teknologjike në Kosovë, si dhe investimet në energji të ripërtëritshme, infrastrukturë dhe turizëm, si pjesë e projekteve të përbashkëta zhvillimore.
Ministrja Kusari-Lila theksoi se Austria mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të Kosovës dhe se institucionet vendore synojnë që bashkëpunimi të konkretizohet përmes projekteve të reja që nxisin investime, zhvillim ekonomik dhe krijimin e mundësive për bizneset dhe të rinjtë në vend.



