Home / Lajme / Mjedisi / Vapa dhe thatësira goditën edhe sektorin energjetik, transportin dhe kompanitë

Vapa dhe thatësira goditën edhe sektorin energjetik, transportin dhe kompanitë

Niveli rekord i ulët i ujit në lumenjtë më të mëdhenj evropianë ka kufizuar transportin e mallrave, ka ulur prodhimin e energjisë elektrike dhe ka zvogëluar të ardhurat e kompanive, duke nxitur frikën për pasojat ekonomike nga temperaturat ekstreme dhe reshjet e paqëndrueshme, transmeton Portalb.mk.

Derisa Evropa po përjeton ngrohjen më të shpejtë krahasuar me të gjitha kontinentet e tjera dhe valë rekord të të nxehtit, thatësira ka treguar nevojën për rishikimin e praktikave të biznesit.

Nga porti i ngarkuar i Roterdamit deri te hidrocentralet në Serbi, rrugët ujore janë bërë mënyrë më pak e sigurt për transportin e mallrave si drithërat dhe nafta, apo për prodhimin e energjisë elektrike shumë të nevojshme në një kohë kur miliona njerëz përpiqen të freskojnë shtëpitë e tyre.

Rënia drastike e nivelit të ujit në rrjedhat kryesore të lumenjve të kontinentit ka krijuar probleme serioze me ftohjen e reaktorëve bërthamorë.

Prodhimi i energjisë bërthamore në Hungari dhe energjisë hidro në Serbi është zvogëluar për shkak të nivelit rekord të ulët të ujit në Danub, i cili kalon nëpër qytete të mëdha si Vjena, Budapesti dhe Beogradi, gjatë rrugës nga Gjermania drejt Detit të Zi.

Përveç dëmeve natyrore të shkaktuara nga zjarret dhe temperaturat që kanë çuar në mijëra raste shtesë të vdekjeve, ndryshimet klimatike kanë ndikuar negativisht edhe në bilancet financiare të kompanive.

Përveç mungesës së ujit, zjarret pyjore që po përhapen në pjesët jugore dhe qendrore të kontinentit krijojnë kërcënim të drejtpërdrejtë për rrjetin e tensionit të lartë. Disa linja kryesore të transmetimit janë fikur në mënyrë parandaluese për shkak të afërsisë me zjarrin dhe përqendrimit të lartë të tymit. Kjo vështirëson më tej shpërndarjen e energjisë mes vendeve fqinje.

Autoritetet paralajmërojnë se nëse vala e të nxehtit vazhdon, çmimet e energjisë elektrike në tregje mund të arrijnë nivele të reja rekord.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com