Home / Lajme / Kosova / KfW paralajmëron Termokosin: 159 nënstacione dhe impianti i degazifikimit rrezikojnë projektin 87 milionë eurosh

KfW paralajmëron Termokosin: 159 nënstacione dhe impianti i degazifikimit rrezikojnë projektin 87 milionë eurosh

Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) ka paralajmëruar Termokosin se problemet teknike dhe vonesat në projektin e zgjerimit të rrjetit të ngrohjes qendrore mund të rrezikojnë mbështetjen e saj financiare.

Në një letër drejtuar Bordit të Termokosit më 21 korrik, të siguruar nga KOHA, KfW ka ngritur tri shqetësime kryesore lidhur me projektin, që kap vlerën e rreth 87 milionë eurove.

Problemi i parë lidhet me 159 nënstacione të ngrohjes që funksionojnë pa kontroll automatik, disa prej të cilave dyshohet se janë edhe të paregjistruara. Sipas KfW-së, kjo shkakton çekuilibrime në rrjet, rrjedhje të tepërta, mbingarkesë të gypave dhe pompave dhe furnizim joefikas me ngrohje.

Banka ka kërkuar nga Termokosi një vlerësim të plotë të situatës dhe një plan për integrimin e këtyre nënstacioneve në mënyrë të rregullt.

Shqetësimi i dytë lidhet me impiantin e degazifikimit, i cili ishte financuar dhe instaluar në kuadër të një projekti të mëparshëm të KfW-së, por aktualisht nuk është funksional.

KfW paralajmëron se mosfunksionimi i tij rrit rrezikun e korrozionit dhe dëmtimit të rrjetit të ngrohjes, duke kërkuar që riparimi ose zëvendësimi i impiantit të kryhet para fillimit të sezonit të ardhshëm të ngrohjes, përcjell Energy Monitor.

Çështja e tretë ka të bëjë me vonesat në sigurimin e tokës dhe marrjen e lejeve për vazhdimin e projektit të Ngrohjes Qendrore me Energji Diellore. Sipas KfW-së, progresi i kufizuar në këtë drejtim po e vë seriozisht në rrezik vazhdimin e projektit.

KfW ka kërkuar nga Bordi i Termokosit që të ndërmarrë veprimet e nevojshme pa vonesa.

Në të kundërtën, banka ka bërë një paralajmërim të drejtpërdrejtë: mund ta rivlerësojë dhe, nëse është e nevojshme, ta ndërpresë mbështetjen e saj për Termokosin.

KOHA ka kërkuar përgjigje nga Termokosi dhe Komuna e Prishtinës lidhur me shqetësimet e ngritura nga KfW-ja, por nuk ka marrë përgjigje.



















Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com