Dy termocentralet lundruese në Vlorë do të licencohen për një periudhë afatgjatë, ndërsa vendimmarrja për licencimin e tyre është shtyrë për shkak të nevojës për plotësimin e dokumentacionit. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, tha se procesi do të vijojë pasi asetet të kalojnë në pronësi të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).
Karakaçi sqaroi se ERE nuk e ka refuzuar licencimin, por ka shtyrë vendimmarrjen për plotësimin e dokumenteve të nevojshme. Një nga çështjet lidhet me kalimin e TEC-eve nga pronësia e qiradhënësit te KESH, pasi deri tani ato kanë funksionuar mbi bazën e një marrëveshjeje qiraje dhe licence me afat dyvjeçar.
Pas kalimit të aseteve në pronësi të KESH, pritet të zhvillohet procesi i rilicencimit për një periudhë më të gjatë.
Dy TEC-et kanë një kapacitet të instaluar prej rreth 100 MW dhe janë aktualisht në funksion. Sipas Karakaçit, një nga funksionet kryesore të tyre është sigurimi i rezervës terciare, e cila mund të aktivizohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit Shqiptar (OST) kur sistemi ka nevojë për energji shtesë.
Lexo më shumë:
Ky funksion i vendos TEC-et lundruese në kuadër të mekanizmave të sigurisë dhe fleksibilitetit të sistemit energjetik, edhe në periudhat kur prodhimi i tyre nuk është i lartë.
Të dhënat e publikuara më herët tregojnë se përdorimi i tyre ka qenë relativisht i kufizuar. Në vitin 2025, dy njësitë prodhuan rreth 77 GWh energji elektrike, duke përbërë rreth 1% të prodhimit neto vendas.
Procesi i ri i licencimit vjen gjithashtu në një kohë kur KESH pritet të marrë kontrollin e plotë mbi asetet. Sipas ministrit, qëllimi është që TEC-et të vazhdojnë të jenë pjesë e sistemit energjetik shqiptar, por tashmë me një bazë pronësie dhe licencimi afatgjatë.
Përveç rolit në prodhimin e energjisë, autoritetet i konsiderojnë këto kapacitete të rëndësishme për menaxhimin e situatave kur sistemi ka nevojë për energji shtesë dhe për ruajtjen e rezervave të nevojshme për funksionimin e rrjetit.



