EU GREEN ENERGY bëhet anëtare e ALPEX në zonën e ofertimit të Shqipërisë
September 24, 2026
Kompania EU GREEN ENERGY SHPK është bërë anëtare e Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX) në Zonën e Ofertimit të Shqipërisë, duke nisur pjesëmarrjen në tregun për ditën në vijim (Day-Ahead) dhe tregun brenda ditës (Intraday).
ALPEX e ka mirëpritur kompaninë si anëtare të re, duke e bërë pjesë të të dyja tregjeve të organizuara të energjisë elektrike, përcjell Energy Monitor.
EU GREEN ENERGY është e regjistruar në Shqipëri si kompani e licencuar për tregtimin e energjisë elektrike. Kompania është aktive në sektorin e energjisë dhe deklaron se zhvillon projekte në energjinë diellore, të erës, hidroenergjinë dhe sistemet e baterive për ruajtjen e energjisë.
Anëtarësimi në ALPEX i mundëson kompanisë të tregtojë energji për ditën pasuese, ndërsa pjesëmarrja në tregun Intraday mundëson tregtimin e energjisë më afër kohës së furnizimit.
Hyrja e EU GREEN ENERGY vjen në një periudhë kur ALPEX po zgjeron numrin e pjesëmarrësve dhe aktivitetin në tregun shqiptar dhe atë kosovar. Bursa ka vijuar të zgjerojë pjesëmarrjen e kompanive tregtare në të dyja zonat e ofertimit.
Ndërkohë, ALPEX ka nisur bashkëpunimin me Nord Pool për zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve Day-Ahead dhe Intraday, përfshirë kalimin drejt produkteve me intervale 15-minutëshe.
Anëtarësimi i kompanive të reja në ALPEX zgjeron numrin e pjesëmarrësve që mund të blejnë dhe shesin energji në tregjet e organizuara, duke rritur potencialisht likuiditetin dhe mundësitë për tregtim në tregun shqiptar të energjisë elektrike.