Përpjekjet e kompanive amerikane të energjisë për të zgjeruar ndikimin në Ballkanin Perëndimor kanë ngritur shqetësime në Bashkimin Evropian se rajoni mund të krijojë varësi afatgjatë nga karburantet fosile amerikane, në një kohë kur vendet e rajonit synojnë integrimin në BE dhe tranzicionin drejt energjisë së pastër.
Sipas Politico, Bosnje-Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova kanë shprehur interes për blerjen e sasive të mëdha të gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA-ja ose për ndërtimin e infrastrukturës që do të mundësonte furnizimin me këtë gaz.
Këto vende e konsiderojnë gazin si një karburant tranzitor, ndërsa përpiqen të reduktojnë varësinë nga furnizimet ruse, përdorimin e qymyrit dhe gradualisht të rrisin kapacitetet nga burimet e ripërtëritshme.
Megjithatë, zyrtarë të BE-së kanë vënë në pikëpyetje nevojën për disa prej këtyre projekteve, duke theksuar se disa vende të rajonit aktualisht kanë kërkesë shumë të ulët për gaz.
Sipas tyre, rritja e furnizimit me gaz mund të krijojë një varësi afatgjatë nga importet dhe të vështirësojë përmbushjen e objektivave evropiane për uljen e emetimeve.
András Hujber, përgjegjës për diplomacinë energjetike të Komisionit Evropian në Ballkanin Perëndimor, tha në një forum në Vjenë se vendet kandidate për anëtarësim në BE kanë marrë përsipër të dekarbonizojnë ekonomitë e tyre.
Ai paralajmëroi se zgjerimi i përdorimit të gazit mund të jetë në kundërshtim me këtë objektiv dhe të çojë përtej synimit fillestar për zëvendësimin e furnizimeve ruse.
Një nga projektet që ka shkaktuar debat është Interkonektori Jugor i Bosnje-Hercegovinës, i cili do të mundësonte furnizimin me gaz përmes infrastrukturës që lidhet me Kroacinë.
Çështja ka shkaktuar gjithashtu debate politike dhe akuza për mungesë transparence lidhur me përfshirjen e kompanisë amerikane AAFS në projekt.
Zyrtarët evropianë kanë ngritur shqetësime edhe për përputhjen e projektit me rregullat e BE-së dhe parimet e konkurrencës.
Artur Lorkowski, drejtor i Komunitetit të Energjisë, theksoi se duhet të garantohen konkurrenca, transparenca dhe kushte të barabarta për të gjithë operatorët në treg.
Në anën tjetër, zyrtarë nga vendet e Ballkanit Perëndimor argumentojnë se gazi mund të luajë rol në sigurinë energjetike gjatë periudhës së tranzicionit, veçanërisht në kohën kur rajoni redukton përdorimin e qymyrit dhe zgjeron energjinë nga burimet e ripërtëritshme.
Në Shqipëri, për shembull, hidrocentralet përbëjnë pjesën kryesore të prodhimit të energjisë, por thatësirat dhe ndryshimet klimatike kanë ndikuar në prurjet e lumenjve. Gazi shihet nga autoritetet shqiptare si një mundësi për të diversifikuar furnizimin dhe për të mbështetur projektet energjetike në vend.
Ndërkohë, Bosnje-Hercegovina vazhdon të jetë e varur nga një linjë kryesore furnizimi me gaz nga Rusia, duke e bërë diversifikimin e burimeve një çështje të rëndësishme të sigurisë energjetike.
Zyrtarët boshnjakë argumentojnë se qëllimi i interkonektorit nuk është krijimi i varësisë nga gazi, por eliminimi i varësisë nga një burim dhe një drejtim i vetëm furnizimi.
Debati tashmë përfshin edhe Kosovën, Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit që synojnë anëtarësimin në BE, ndërsa përballen me sfidën e sigurimit të energjisë dhe njëkohësisht përafrimit me objektivat evropiane për dekarbonizim.



