Shqipëria pritet të zhvillojë një ankand të ri për energjinë fotovoltaike në fund të vitit 2026 ose në fillim të vitit 2027, ndërsa për herë të parë projekti pritet të përfshijë edhe kapacitete për magazinimin e energjisë.
Njoftimin e ka bërë ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, gjatë një vizite në zonën e Ersekës, ku janë ndërtuar dy parqe fotovoltaike me kapacitet të përbashkët prej rreth 40 MW.
Sipas Karakaçit, ankandi i ri do të zhvillohet në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ndërsa bateritë do të jenë pjesë e projektit, përcjell Energy Monitor.
“Po shikojmë që në fund të vitit 2026 ose në fillim të vitit 2027 të kemi një ankand të ri për energjinë fotovoltaike, këtë vit tashmë edhe me bateritë e përfshira në projekt”, tha Karakaçi.
Vizita në Ersekë u zhvillua në parqet Erseka Solar Park 1 dhe Erseka Solar Park 2, të cilat së bashku kanë rreth 40 MW kapacitet. Sipas ministrisë, në këtë zonë pritet të hyjë në funksion edhe një park i tretë me kapacitet prej 70 MW, i cili ka fituar një ankand të zhvilluar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Përfshirja e baterive në projektet e reja lidhet me nevojën për të menaxhuar më mirë prodhimin fotovoltaik, i cili përqendrohet kryesisht gjatë orëve me diell.
Shqipëria ka rritur ndjeshëm kapacitetet e energjisë diellore gjatë viteve të fundit. Sipas të dhënave të paraqitura nga ministri, deri në fund të vitit 2025 ishin instaluar më shumë se 600 MW kapacitet të ri fotovoltaik.
Sipas Karakaçit, energjia fotovoltaike përbënte mbi 11 për qind të prodhimit vjetor të energjisë elektrike në vend, duke rritur peshën e burimeve të tjera përtej hidrocentraleve, njofton Energy Monitor.
Rritja e prodhimit diellor po shoqërohet edhe me nevojën për fleksibilitet më të madh të sistemit. Në prill, ERE kishte nisur procedurat për modifikimin e licencave të disa centraleve fotovoltaike, përfshirë Erseka Solar Park 1 dhe Erseka Solar Park 2, për shtimin e njësive të depozitimit të energjisë.
Karakaçi tha gjithashtu se ligji i ri për sektorin e energjisë elektrike, i miratuar në qershor, ka krijuar mundësi për përfshirjen e baterive në projektet e prodhimit të energjisë së ripërtëritshme.
Qeveria shqiptare synon që rritja e kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme, së bashku me investimet në rrjet dhe magazinim, ta ndihmojë vendin të arrijë objektivin për të qenë eksportues neto i energjisë deri në vitin 2030.



