Qeveria e Malit të Zi ka zgjatur sërish uljen e përkohshme të akcizave për karburantet, këtë herë deri më 5 tetor, ndërsa çmimi i naftës diesel mbetet në 1.95 euro për litër.
Për periudhën 29 shtator–5 tetor, akciza për dieselin është caktuar në 0.330 euro për litër, nga 0.264 euro në javën paraprake. Megjithatë, ajo mbetet 25 për qind nën normën e rregullt prej 0.440 euro.
Kjo është një tjetër zgjatje e masave të ndërmarra nga qeveria për të zbutur ndikimin e çmimeve të larta të naftës në tregjet ndërkombëtare. Në fund të marsit, Mali i Zi nisi uljen e përkohshme të akcizave dhe më pas i ka ndryshuar ato disa herë në varësi të zhvillimeve në treg, përcjell Energy Monitor.
Për benzinën, akciza mbetet në 0.384 euro për litër, ndërsa çmimi maksimal i Eurosuper 98 është rritur në 1.79 euro dhe ai i Eurosuper 95 në 1.75 euro për litër.
Çmimet e reja do të vlejnë deri më 5 tetor, ndërsa për periudhën nga 6 tetori qeveria do t’i përcaktojë ato pas shqyrtimit të kuotimeve ndërkombëtare të karburanteve dhe kursit euro-dollar.



