Home / Lajme / Rrjeti elektrik / KEDS përuron trafostacionin e ri në Kabash të Vitisë

KEDS përuron trafostacionin e ri në Kabash të Vitisë

KEDS ka përfunduar dhe vënë në funksion një trafostacion të ri elektrik në fshatin Kabash të Vitisë, i cili synon të rrisë kapacitetet dhe të përmirësojë furnizimin me energji elektrike për banorët e kësaj zone dhe lokalitetet përreth.

Trafostacioni u përurua nga drejtues të KEDS-it dhe përfaqësues të Komunës së Vitisë, pas një takimi ku u diskutuan edhe nevojat për investime të tjera në rrjetin elektrik të komunës.

Sipas Komunës së Vitisë, investimi në Kabash pritet të ndikojë në përmirësimin e dukshëm të cilësisë dhe qëndrueshmërisë së furnizimit, duke rritur kapacitetet e rrjetit në këtë pjesë të komunës.

Gjatë takimit, kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, kërkoi mbështetjen e KEDS-it për projekte të tjera, përfshirë shtrirjen e rrjetit elektrik në Zonën Ekonomike në Budrikë. U diskutuan gjithashtu disa fshatra që janë identifikuar si prioritete për investime dhe përforcim të rrjetit, përcjell Energy Monitor.

Zv.drejtori i përgjithshëm i KEDS-it, Avni Alidemaj, tha se kompania do të vazhdojë investimet në përputhje me nevojat e konsumatorëve dhe prioritetet e identifikuara në komunë.

KEDS dhe Komuna e Vitisë kanë bërë të ditur se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe për projekte të tjera që synojnë modernizimin dhe përforcimin e infrastrukturës së shpërndarjes së energjisë elektrike.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com