Debati për sigurinë e furnizimit me energji elektrike, gjendjen e termocentraleve dhe politikat e subvencionimit është rikthyer në vëmendje në prag të dimrit. Në një diskutim në emisionin “Konfront” të KTV-së, eksperti i energjisë Rasim Mjekiqi dhe gazetari i Kosovo 2.0, Uran Haxha, kanë ngritur shqetësime për mungesën e investimeve në kapacitete të reja gjeneruese, varësinë nga qymyri dhe mënyrën se si po trajtohet ngrohja në Kosovë.
Shqetësimet e tyre përkojnë me vlerësimin e Komisionit Evropian në Raportin e Progresit për Kosovën 2026, i cili evidenton përparim të kufizuar në sektorin e energjisë dhe mungesë të investimeve të mjaftueshme. Sipas raportit, gjendja në këtë sektor vazhdon të përbëjë pengesë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit.
Mjekiqi ka paralajmëruar se Kosova mund të përballet sërish me vështirësi në furnizim nëse dimri sjell periudha të gjata me temperatura të ulëta. Ai ka thënë se edhe 20 deri në 30 ditë me kushte të vështira dimërore mund të krijojnë probleme serioze, për shkak të rritjes së konsumit të energjisë elektrike për ngrohje.
“Si do ta kemi dimrin nuk e di, por në një mënyrë i lutem Zotit që të mos jetë dimër i vështirë. Nëse ky dimër vetëm 20-30 ditë merr dimër i vështirë, atëherë ne do të kemi problem të madh me përdorimin e energjisë elektrike”, ka deklaruar ai.
Sipas Mjekiqit, ngrohja është faktori kryesor që e rëndon sistemin energjetik gjatë dimrit, ndërsa mungesa e ngrohjes qendrore në një pjesë të madhe të vendit i shtyn amvisëritë drejt përdorimit të energjisë elektrike, përcjell Energy Monitor.
Një tjetër problem i theksuar gjatë diskutimit ishte vazhdimi i investimeve në mirëmbajtjen e termocentraleve ekzistuese, pa zhvillim të mjaftueshëm të kapaciteteve të reja. Haxha ka vlerësuar se Blloku A i Termocentralit Kosova A është dashur të mbyllej dhe të dekomisionohej prej kohësh, por Kosova po vazhdon të investojë në riparimin e tij.
“Blloku A është dashur moti të mbyllej e të dekomisionohej, por realisht ne jemi duke dashur t’ia nxjerrim yndyrën edhe më shumë me remonte”, ka thënë Haxha.
Ai i është referuar edhe Raportit të Komisionit Evropian, duke theksuar se Kosova vazhdon të përqendrohet në riparimin e termocentraleve të vjetra, në vend që të ndërtojë kapacitete të reja për të zvogëluar varësinë nga linjiti.
Qymyri vazhdon të përbëjë rreth 90 për qind të prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë. Kjo varësi, e kombinuar me mungesën e kapaciteteve të reja, e bën sistemin të cenueshëm ndaj problemeve teknike në termocentrale dhe rrit nevojën për import të energjisë elektrike, veçanërisht gjatë periudhave të konsumit të lartë.
Mjekiqi ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si është trajtuar projekti i kogjenerimit ndërmjet KEK-ut dhe Termokosit. Sipas tij, projekti ka qenë ekonomikisht i leverdishëm për Kosovën dhe për vetë KEK-un, por nuk është zgjeruar për shkak të mungesës së mjeteve ose neglizhencës institucionale.
Ai ka theksuar se KEK-u furnizon Termokosin me avull për prodhimin e energjisë termike, pa u kompensuar për këtë shërbim, ndërsa zgjerimi i sistemit të kogjenerimit do të mundësonte shfrytëzim më të mirë të energjisë termike që aktualisht nuk përdoret për prodhimin e energjisë elektrike.
“Projekti i kogjenerimit është shumë i leverdishëm për ekonominë e Kosovës dhe për KEK-un. Për ngrohje që shkon energjia, KEK-u nuk paguhet asnjë cent, e jep avullin për Termokosin, por nuk paguhet”, ka thënë Mjekiqi.
Ai ka paralajmëruar se politikat aktuale ndaj ndërmarrjes publike mund ta rrezikojnë qëndrueshmërinë e saj, duke e cilësuar KEK-un prodhues të rëndësishëm të energjisë në rajon, përcjell Energy Monitor.
Një prej kritikave më të forta të Mjekiqit ka qenë edhe subvencionimi i pompave termike nga Qeveria e Kosovës. Ai e ka cilësuar këtë masë si gabim, me arsyetimin se në kushtet e sistemit energjetik të Kosovës, ku pjesa dërrmuese e energjisë elektrike prodhohet nga termocentralet me qymyr, kalimi nga energjia termike në atë elektrike dhe më pas përdorimi i saj për ngrohje krijon humbje në procesin e konvertimit.
Sipas tij, në vend të subvencionimit të pajisjeve që rrisin kërkesën për energji elektrike, institucionet është dashur t’i kushtojnë më shumë vëmendje izolimit të ndërtesave dhe uljes së nevojës për ngrohje.
Nga ana tjetër, Haxha ka ngritur edhe çështjen e drejtësisë sociale në skemat e subvencionimit të energjisë dhe ngrohjes. Sipas tij, përkrahja nuk është shpërndarë në mënyrë të drejtë, ndërsa objektivi kryesor i politikave publike duhet të jetë sigurimi i kushteve të përshtatshme të ngrohjes për qytetarët, veçanërisht për familjet me më pak mundësi ekonomike.



