Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) do të protestojnë sot, më 12 nëntor, për të kërkuar rritjen dhe nivelizimin e pagave, si dhe realizimin e pagës së 13-të për vitin 2026.
Protesta është organizuar nga Sindikata e Re – KEK dhe është paralajmëruar të mbahet nga ora 11:00, para zyrave të menaxhmentit të korporatës në Prishtinë.
Përmes një njoftimi, sindikata ka bërë të ditur se kërkesat kryesore të punëtorëve janë përmirësimi i nivelit të pagave, eliminimi i dallimeve në trajtimin e tyre dhe pagesa e pagës së 13-të për të gjithë punëtorët e KEK-ut gjatë këtij viti, përcjell Energy Monitor.
“Për paga dinjitoze, për barazi dhe për respektimin e të drejtave të punëtorëve!”, thuhet në thirrjen e sindikatës.
Protesta vjen në një periudhë kur KEK-u po përballet edhe me sfida në operimin e kapaciteteve prodhuese, përfshirë vonesat në rikthimin e bllokut B1 të Termocentralit Kosova B, ndërsa vendi po hyn në sezonin e rritjes së konsumit të energjisë elektrike.
Sindikalistët u kanë bërë thirrje të gjithë punëtorëve që t’i bashkohen protestës për të kërkuar realizimin e kërkesave të tyre.



