Projekti për qasjen e Kosovës në gazin e lëngshëm (LNG) përmes terminalit në Vlorë është rikthyer në diskutim mes Kosovës dhe Shqipërisë, përfshirë edhe nivelin ministror, në kuadër të shqyrtimit të alternativave për furnizimin me energji.
Duke folur në emisionin EURO në T7 me gazetarin Menduh Abazi, ministrja në detyrë e Ekonomisë tha se së fundi është takuar me ministrin shqiptar të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ku është diskutuar sërish ky projekt.
“Dje, në kuadër të takimit të Këshillit të Ministrave, kisha edhe një takim me ministrin e Shqipërisë Enea Karakaçi, edhe diskutuam prapë për këtë projekt që është riaktualizuar,” tha ajo.
Sipas saj, ideja e bashkëpunimit me Shqipërinë përmes Vlorës mbetet një opsion i hapur për shqyrtim, si alternativë ndaj ndërtimit të një gazsjellësi të ri, njofton Energy Monitor.
Ajo tha se në këtë model, LNG do të importohej në Vlorë, ku një termocentral ekzistues do të konvertohej nga nafta në gaz natyror, ndërsa Kosova do të rezervonte kapacitetet e nevojshme për furnizim me energji elektrike përmes rrjetit ekzistues të transmetimit.
“Në këtë mënyrë indirekt importojmë LNG amerikane në Vlorë, e shndërrojmë në energji elektrike dhe ajo transmetohet përmes linjave të transmetimit që janë të gatshme, pa kërkuar asnjë cent investim shtesë,” tha Rizvanolli.
Ajo shtoi se ky model shihet si më fleksibil dhe më i shpejtë krahasuar me ndërtimin e një infrastrukture të re të gazsjellësit dhe termocentraleve në Kosovë, përcjell Energy Monitor.
Ajo kujtoi gjithashtu se projekti është formalizuar më herët përmes një memorandumi bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa kostoja e tij lidhet kryesisht me modelin e furnizimit me LNG dhe përdorimin e infrastrukturës ekzistuese në Vlorë, duke shmangur investimet e reja në gazsjellës apo rrjete të reja transmetimi.



