Home / Lajme / Kosova / ZRRE shton mbi 800 kW kapacitete të reja për vetë-konsum, kapaciteti total i vetë-konsumatorëve arrin në rreth 40 MW

ZRRE shton mbi 800 kW kapacitete të reja për vetë-konsum, kapaciteti total i vetë-konsumatorëve arrin në rreth 40 MW

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka vazhduar mbështetjen e zhvillimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme, duke miratuar në seancën e tetë për vitin 2026 një numër të ri autorizimesh për prodhim të energjisë elektrike nga dielli, përfshirë edhe skemën e vetëkonsumit.

Në mbledhjen e mbajtur më 10 korrik 2026, Bordi i ZRRE-së ka aprovuar kërkesa për shtyrje dhe lëshim të autorizimeve për disa projekte të reja të energjisë së ripërtëritshme me kapacitet të përgjithshëm prej rreth 2.57 MW. Autorizimet e reja iu dhanë subjekteve juridike “Medrupalast” sh.p.k., “Pin Group Arch” sh.p.k. dhe “Elektrosystem” sh.p.k., ndërsa është shtyrë autorizimi për “Solar Gate” sh.p.k.

Një pjesë e rëndësishme e vendimeve të Bordit lidhet me rritjen e numrit të vetëkonsumatorëve të energjisë elektrike nga panelet fotovoltaike. ZRRE ka lëshuar 39 autorizime të reja për persona fizikë dhe 13 autorizime për subjekte juridike që do të prodhojnë energji për nevojat e tyre përmes sistemeve diellore.

Kapaciteti i përgjithshëm i këtyre autorizimeve të reja për vetëkonsum është 805.5 kW, ndërsa me vendimet e fundit numri total i kapaciteteve të autorizuara për vetëkonsum në Kosovë ka arritur në rreth 40 MW, përcjell Energy Monitor.

Rritja e numrit të qytetarëve dhe bizneseve që instalojnë panele fotovoltaike për konsum vetjak konsiderohet një nga shtyllat e decentralizimit të sistemit energjetik, duke u mundësuar konsumatorëve të ulin varësinë nga furnizimi tradicional dhe të kontribuojnë në rritjen e pjesës së energjisë së pastër në miksin energjetik të vendit.

Sipas ZRRE-së, zhvillimi i këtyre kapaciteteve është në përputhje me objektivat e përcaktuara në Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Ekonomisë Nr. 02/2023 për cakun e energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, i cili parasheh rritjen graduale të kapaciteteve të reja nga energjia e gjelbër, njofton Energy Monitor.

Në të njëjtën seancë, Bordi i ZRRE-së ka shqyrtuar dhe aprovuar edhe Planin Investiv të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Planin për Menaxhimin dhe Reduktimin e Humbjeve, si dhe ka trajtuar ankesa të konsumatorëve dhe çështje të tjera që lidhen me funksionimin e rregullatorit.

Zhvillimi i vetëkonsumit paraqet një trend në rritje në sektorin energjetik të Kosovës, në një kohë kur vendi synon të rrisë kapacitetet nga energjia diellore dhe të përshpejtojë tranzicionin drejt një sistemi më të decentralizuar dhe më të qëndrueshëm energjetik.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com