Vëllimi i energjisë elektrike të tregtuar në tregun e energjisë për ditën e ardhshme (day-ahead) të Bursës Shqiptare të Energjisë ALPEX është rritur ndjeshëm gjatë muajit korrik, duke reflektuar rritjen e aktivitetit në tregun e përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë.
Sipas raportit mujor të ALPEX, gjatë korrikut në tregun e energjisë për ditën e ardhshme (day-ahead) u tregtuan gjithsej 226.3 GWh energji elektrike, krahasuar me 172.7 GWh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ose rreth 31% më shumë në bazë vjetore.
Në vlerë financiare, transaksionet në këtë treg arritën në 45.4 milionë euro, rreth 7.5% më shumë krahasuar me korrikun e vitit 2025, njofton Energy Monitor.
Në zonën shqiptare u tregtuan 161.8 GWh energji elektrike në korrik, ndërsa çmimi mesatar i tregut i përcaktuar nga ALPEX ishte 112.24 euro/MWh, apo rreth 12% më i ulët se një vit më parë.
Në zonën kosovare të tregut, vëllimi i tregtuar u rrit me 26%, duke arritur në 137.7 GWh, ndërsa çmimi mesatar i tregut ishte gjithashtu 112.24 euro/MWh.
ALPEX sqaron se vëllimet e raportuara për secilën zonë përfshijnë edhe dyfishimin e tregtisë ndërkufitare mes dy zonave të ofertimit, përcjell Energy Monitor.
Bursa Shqiptare e Energjisë (ALPEX) u themelua në vitin 2020 nga operatorët e transmetimit OST të Shqipërisë dhe KOSTT të Kosovës, ndërsa tregu i përbashkët Kosovë–Shqipëri nisi operimin më 31 janar 2024.
Funksionimi i tregut të përbashkët Kosovë–Shqipëri konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt integrimit të mëtejshëm me tregun evropian të energjisë dhe krijimit të mundësive më të mëdha për tregtim të energjisë nga burimet e ndryshme të prodhimit.



