Kompania franceze e energjisë së ripërtëritshme Qair International ka siguruar lejen e ndërtimit për projektin solar Rudine, me kapacitet prej 50 MW, në komunën e Nikshiqit në Mal të Zi.
Leja e ndërtimit përbën një tjetër hap të rëndësishëm për projektin, i cili tashmë kishte siguruar edhe miratimin për kyçje në rrjet nga operatori malazez i transmetimit CGES në fillim të vitit 2025. Ndërtimi pritet të nisë në vitet e ardhshme.
Rudine është një nga projektet më të avancuara të Qair në Mal të Zi. Projekti vlerësohet në rreth 40 milionë euro dhe pritet të jetë funksional deri në fund të vitit 2028.
Qair ka hyrë në tregun malazez në vitin 2021 dhe aktualisht ka një portofol projektesh që përfshin rreth 250 MW me miratime urbanistike dhe teknike të siguruara. Kompania po zhvillon gjithashtu projekte të tjera solare dhe të erës në vend, përcjell Energy Monitor.
Në prill, Qair Montenegro mori leje mjedisore për projektin solar Petrovići, me kapacitet 60 MWp, po në komunën e Nikshiqit. Kompania ka në zhvillim edhe projektin solar Jabuka, me kapacitet 60 MW, si dhe një park të erës prej 65 MW në veri të Podgoricës.
Qair Montenegro është themeluar në vitin 2022 si kompani në pronësi të plotë të Qair International. Në vitin 2024, EPCG dhe Qair International nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për zhvillimin e projekteve të energjisë së gjelbër në Mal të Zi.



