Home / Lajme / Kosova / KEDS Academy: 54 të rinj të punësuar pas përfundimit të programit

KEDS Academy: 54 të rinj të punësuar pas përfundimit të programit

54 nga 74 të rinjtë e certifikuar në gjeneratën e 12-të të KEDS Academy janë punësuar tashmë në sektorin energjetik të Kosovës.

Në ceremoninë e organizuar për përfundimin e programit u certifikuan 62 nxënës të shkollave të mesme teknike, nga drejtimi i elektroteknikës, si dhe 12 studentë të Universitetit të Prishtinës, kryesisht nga fusha e elektroenergjetikës.

Programi njëvjeçar kombinon mësimin teorik me praktikën në terren dhe përfshin trajnime për rrjetin elektrik, shpërndarjen e energjisë, sigurinë në punë dhe teknologjitë moderne të sistemit energjetik, njofton Energy Monitor.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, që nga themelimi i KEDS Academy janë aftësuar mbi 860 nxënës dhe studentë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se punësimi i 54 prej 74 të certifikuarve është një tregues konkret i lidhjes mes arsimit profesional dhe nevojave të tregut të punës.

“Fakti që 54 nga 74 të certifikuarit tashmë janë punësuar është rezultat konkret dhe shembull i mirë se si duhet të funksionojë bashkëpunimi ndërmjet institucioneve arsimore dhe sektorit privat: nga shkollimi dhe aftësimi praktik, drejt punësimit”, tha Rizvanolli.

Ajo theksoi se sektori energjetik i Kosovës po kalon një transformim të rëndësishëm, me investime në energjinë e ripërtëritshme, bateritë për ruajtjen e energjisë, modernizimin e kapaciteteve ekzistuese dhe rritjen e efiçiencës, përcjell Energy Monitor.

Sipas saj, këto zhvillime po rrisin edhe nevojën për profesionistë të rinj me aftësi teknike dhe praktike.

Programi i KEDS Academy është zhvilluar në bashkëpunim me Qendrën për Energji dhe Qëndrueshmëri të Universitetit të Prishtinës, ndërsa Ministria e Ekonomisë e ka vlerësuar këtë model si një rrugë konkrete nga arsimi dhe aftësimi profesional drejt punësimit në sektorin energjetik.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com