Home / Lajme / Energjia konvencionale / Opozita kritikon marrëveshjen e KEK-ut për shitjen e qymyrit në Maqedoninë e Veriut

Opozita kritikon marrëveshjen e KEK-ut për shitjen e qymyrit në Maqedoninë e Veriut

Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, dhe anëtari i Kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj, kanë kritikuar marrëveshjen e KEK-ut me Maqedoninë e Veriut për furnizimin me qymyr, duke kërkuar transparencë për vlerën e kontratës dhe marrëdhëniet energjetike mes dy vendeve.

Ymeri ka thënë se vlera e kontratës trevjeçare, që mund të arrijë deri në 73.2 milionë euro, është e përafërt me shumën që, sipas saj, qytetarët e Kosovës paguajnë për importin e energjisë elektrike brenda tre deri në katër muaj.

“Vlera e fituar nga kontrata e KEK me Maqedoninë e Veriut për 3 vjet kohë, harxhohet përafërsisht për 3-4 muaj nga xhepat tanë në import të rrymës”, ka shkruar Ymeri.

Ajo ka kritikuar gjithashtu idenë që marrëveshja për shitjen e qymyrit të lidhet me mundësinë e furnizimit të Kosovës me energji elektrike nga Maqedonia e Veriut, duke pretenduar se ky shtet nuk ka tepricë të mjaftueshme të energjisë për të mbuluar nevojat e Kosovës.

Ndërkaq, Haradinaj ka kërkuar që KEK-u ta bëjë publike kontratën dhe vlerën e shitjes së qymyrit, si dhe të publikohen të dhënat për energjinë elektrike që Kosova e blen nga Maqedonia e Veriut.

“Ne blejmë rrymë mbi 1 miliard euro dhe i shesim qymyr njërit nga shtetet prej të cilit blejmë rrymë”, ka shkruar Haradinaj.

Ai e ka cilësuar marrëveshjen si “krim” ndaj pasurisë së Kosovës dhe ka kërkuar që çështja të mos kalojë pa transparencë.

Kritikat e opozitës vijnë një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes mes KEK-ut dhe Elektranave të Maqedonisë së Veriut (EMV), e cila parasheh furnizimin e termocentraleve maqedonase me qymyr nga pellgu i Obiliqit për tre vitet e ardhshme.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com