Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka publikuar Qarkoren e Energjisë me titull “Fatura e ulët që fsheh varfërinë – Si vetëkufizimi i konsumit i bën familjet e varfra të padukshme për politikat publike”, duke ngritur shqetësimin se faturat e ulëta të energjisë elektrike nuk tregojnë domosdoshmërisht se një familje është në gjendje të mirë ekonomike ose se banesa është energjetikisht efikase.
Sipas analizës, familjet me të ardhura të ulëta mund ta kufizojnë konsumin për të ulur faturën, duke ngrohur vetëm një dhomë, duke kufizuar ndriçimin, gatimin dhe përdorimin e pajisjeve elektrike ose duke hequr dorë nga shërbime të tjera të nevojshme energjetike.
INDEP dallon tri situata që mund të qëndrojnë pas një fature të ulët. E para është efiçienca energjetike, kur një banesë ose pajisje kërkon pak energji për të ofruar shërbimin e nevojshëm. E dyta është zëvendësimi, kur familja përdor burime të tjera, si druri, peleti, qymyri apo ngrohja qendrore. E treta është privimi energjetik, kur familja nuk arrin të sigurojë temperaturën, ndriçimin ose përdorimin e nevojshëm të energjisë për shkak të kufizimeve financiare.
Sipas institutit, mënyra aktuale e matjes së varfërisë energjetike në Kosovë nuk e kap plotësisht këtë problem. Analiza shqyrton edhe kriterin prej 250 kWh të përdorur nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe vëren mungesën e një treguesi të posaçëm për nënkonsumin, përcjell Energy Monitor.
Për të identifikuar familjet që përballen me varfëri energjetike, INDEP vlerëson se nuk mjaftojnë të dhënat për faturën e energjisë elektrike. Nevojiten edhe të dhëna për temperaturën e banesës, numrin e dhomave që ngrohen, gjendjen e ndërtesës, të ardhurat dhe nevojat e familjes.
Instituti thekson se Kosova ka tashmë disa masa për mbështetjen e konsumatorëve, përfshirë subvencionet e faturave, programet e efiçiencës dhe mbështetjen për pajisje më efikase. Megjithatë, sipas INDEP, mbetet e paqartë nëse këto masa po identifikojnë edhe familjet që e kufizojnë konsumin për shkak të pamundësisë për të paguar.
Analiza i referohet gjithashtu zhvillimeve të reja të politikave të Bashkimit Evropian për matjen e varfërisë energjetike, të cilat kërkojnë përdorimin e treguesve sasiorë dhe cilësorë dhe mbledhjen e rregullt të të dhënave.
INDEP argumenton se Kosova duhet të ndërtojë një sistem më të plotë të matjes së varfërisë energjetike, në mënyrë që familjet që konsumojnë pak jo për shkak të efiçiencës, por sepse nuk mund ta përballojnë konsumin e nevojshëm, të mos mbeten jashtë politikave publike.
Publikimi i plotë i Qarkores së Energjisë “Fatura e ulët që fsheh varfërinë” është i disponueshëm në faqen e INDEP.



