Pak pas Kosovës, edhe Shqipëria po vendos rregullat për krijimin dhe funksionimin e komuniteteve të energjisë nga burimet e ripërtëritshme.
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka nxjerrë për konsultim publik dy dokumente që përcaktojnë procedurat për regjistrimin e komuniteteve të energjisë së rinovueshme, si dhe marrëdhëniet ndërmjet komunitetit dhe anëtarëve të tij.
Komunitetet e energjisë së rinovueshme, të njohura edhe si kooperativa energjetike, janë subjekte juridike ku qytetarët, bizneset dhe aktorë të tjerë mund të bashkohen vullnetarisht për të prodhuar, konsumuar, depozituar dhe ndarë energjinë e prodhuar nga burimet e ripërtëritshme.
Sipas projekt-rregullores së ERE-s, regjistrimi do të jetë i detyrueshëm për çdo komunitet që dëshiron të ushtrojë të drejtat dhe aktivitetet e parashikuara në kuadrin ligjor. Regjistrimi, megjithatë, nuk zëvendëson licencat apo autorizimet që mund të kërkohen për aktivitete të caktuara në sektorin e energjisë elektrike, përcjell Energy Monitor.
Kërkesa për regjistrim do të paraqitet nga përfaqësuesi ligjor i komunitetit dhe duhet të përmbajë, ndër të tjera, formën juridike, listën e anëtarëve themelues, aktivitetet që do të zhvillohen, kapacitetin e instaluar dhe vendndodhjen e impianteve.
Për komunitetet me kapacitet të instaluar mbi 100 kW, ERE parashikon edhe paraqitjen e një plani biznesi, i cili duhet të përfshijë vlerësim teknik dhe financiar për pesë vitet e para të aktivitetit.
ERE ka hartuar gjithashtu një marrëveshje tip për anëtarësimin në Komunitetin e Energjisë së Rinovueshme. Dokumenti përcakton të drejtat dhe detyrimet e anëtarëve dhe komunitetit, ndërsa parashikon mundësinë që anëtarët të marrin pjesë në prodhimin, konsumin, depozitimin dhe ndarjen e energjisë së prodhuar nga burimet e ripërtëritshme. Në raste të caktuara, komunitetet mund të angazhohen edhe në shitjen e energjisë elektrike të prodhuar.
Anëtarësimi do të jetë i hapur dhe vullnetar, ndërsa pjesëmarrja në një komunitet energjetik nuk do t’ia heqë konsumatorit të drejtat që gëzon si klient fundor i energjisë elektrike.
Krijimi i këtyre komuniteteve synon të rrisë pjesëmarrjen e konsumatorëve në prodhimin e energjisë, të nxisë vetëprodhimin dhe përdorimin lokal të energjisë së ripërtëritshme dhe të krijojë mundësi që përfitimet nga projektet energjetike të shpërndahen edhe në nivel komunitar.
Kosova e ka nisur më herët procesin
Zhvillimi në Shqipëri vjen pak pas një procesi të ngjashëm në Kosovë. Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) kishte nxjerrë në qershor për konsultim publik Rregullën për Bashkësitë e Energjisë nga Burimet e Ripërtërishme (BEBR), e cila krijon kuadrin rregullativ për themelimin, organizimin dhe funksionimin e këtyre bashkësive.
Procesi në Kosovë kishte nisur më herët, me prezantimin e draft-rregullës në mars dhe konsultimet me institucionet, komunat, bizneset dhe organizatat e shoqërisë civile.
Në shtator kanë nisur edhe trajnimet për komunitetet e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë, me pjesëmarrjen e komunave, bizneseve dhe organizatave të shoqërisë civile. Trajnimet përfshijnë tema si kuadri ligjor, organizimi dhe anëtarësimi, lidhja me rrjetin, matësit inteligjentë, ndarja e energjisë dhe faturimi.
Kështu, si Kosova ashtu edhe Shqipëria po krijojnë gradualisht kuadrin rregullator për një model më të decentralizuar të prodhimit dhe konsumit të energjisë, ku qytetarët, bizneset dhe komunitetet lokale mund të marrin rol më aktiv në zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme.



